Simone, të lulëzosh mbi urrejtjen

4 weeks ago 5
Reklamë

Nga Mira Kazhani/

Mësuese Gjuhë Letërsie, doktoreshë, ose gjimnaste. Tek e para vetëm, mendoj që kam pasur shanse reale.

Gjimnastet më shumë i kam adhuruar ndoshta nga fiziku i bukur lastar, por më shumë sepse si çdo fëmijë, fluturimi është dëshira më e madhe dhe të vetmin fluturim që e realizojnë pas zogjve, janë ato, gjimnastet.

Kur kam parë për herë të parë Simone Biles, jam mahnitur bashkë me miliona të tjerë për vajzën që është në gjendje të fluturojë.

26 vjeçarja ka futur sot që flasim në historinë e Lojërave Olimpike një lëvizje që nuk është bërë kurrë më parë, – Yurchenko double pike, – dhe gazetarët e njerëzit e sportit besojnë që nuk do shohim për shumë gjatë një tjetër Simone Biles. Ajo është në gjendje të bëjë tre rrotullime në ajër, të zbresë në këmbë, të mos thyejë këmbën, të mos vdesë. Siç e thoshte bukur ajo në rrëfimin e saj, gjithmonë ka frikë para rrotullimeve të saj në ajër, përpiqet të mos humbasë përqëndrimin, frymëmarrjen, të mos thyejë ndonjë këmbë dhe sidomos të mos vdesë.

Në Netflix keni dokumentarin me dy episode për të. Por nxitur nga ai dokumentar dua të evidentoj disa mësime që na jep jeta e kësaj sportisteje.

I pari është se suksesi, nuk është pjellë e një super dhuntie. Simone, edhe pse me një element të të pashpjegueshmes, në kërcimet e saj, është njeri, është një vajzë që talentin e ka çuar para me punë të përbindshme. Pra Simone megjithë paradigmën e saj, nuk eshtë mbinjeriu. Nuk ka mbinjeri ndër njerëz.

E dyta: Kur fiton për herë të parë, pra nga një njeri i panjohur bëhesh njeriu kryesor, të duan të gjithë. Të gjithëve iu pëlqen dikush që ia del për herë të parë.

E treta: Pas suksesit vjen pritshmëria, ti duhet vetëm të fitosh. Nëse humbet, nëse fiks të rrëshqet këmba, siç merr kuptim në këtë rast, ti kryqëzohesh.

A duhet të ndodhë kjo? Po patjetër. Nuk ka sukses privat, ndaj sa më e madhe fama dhe suksesi aq më e pashmangshme llogaridhënia me botën.

Është shumë interesant fakti pse Simone Biles zhgënjeu me paraqitjen e saj në Lojërat Olimpike të Tokios.

Pandemia dhe zërat në kokë te Simone e penguan mendjen e saj të komunikojë me trupin në atë sinkronizimin perfekt që vetëm ajo e di ta bëjë.

Në ato lojëra mendja e tradhtoi Simone Biles. Kampionia olimpike merr një vendim aty për aty dhe jep dorëheqjen.

Interneti u mbush me kritika dhe sulme për të. A duhet të tërhiqej një kampione? Pse ajo e la në mes garën? Pse e tradhtoi skuadrën? Pse iku në shtëpi?

Në dokumentar kuptohet qartë se pse ajo iku dhe e la në mes garën.

Por njerëzit nëse nuk shohin që ke vrarë një këmbë, një dorë, mendojnë që je mirë. Se një kampion duhet të durojë çdo gjë për të mos zhgënjyer ndjekësit dhe menaxherët për të fituar para. Se duhet të kullosh gjak që të dukesh që ke një dhimbje. Dhimbjet janë edhe të padukshme, edhe pa gjak.

Dhe ky është mësimi 4 që na jep interneti që i bie shkurt në çdo rast! Interneti që gjak do…

Problemi i Simone ishte i padukshëm. Ai qëndronte brenda në kokë. Depresioni nuk e lejonte trurin e saj të punonte i qetë.

Ndërkaq gjykimet nga flokët dhe deri tek tërheqja nga Tokio 2020, ishin zërat në kokën e kampiones.

Një kampione që na trullos që nuk pranoi të torturohej në emër të famës, parave, internetit. Ne që na kanë mësuar se duhet të jesh spartan në jetë. Ne, ndoshta brezit tim dhe lart, por jo rinisë së sotme. Dhe këtu mbërrita tek leksioni 5.

I pesti është mësimi më i bukur që marrim nga kjo histori. Nëse dikush shkëlqen, nuk është i dënuar përjetë të jetë shkëlqyes. Simone nuk jeton në kohët kur koleget si ajo hidheshin si mishi për top. Vërtet sot është interneti dhe urrejtja pa fre e filtra, por jetojmë në një botë shumë më të drejtë për gratë, për racat, për shëndetin mendor.

◦Për mua Simone Biles ka vënë edhe një gur në këtë drejtim.

Duke u dorëzuar kur ishte keq, duke u rikthyer pavarësisht komenteve denigruese dhe dekurajuese të internetit, siç po ndodh së fundmi me të.

Prej Simone Biles, besoj që nuk duhet të shohim veç anët e këqija të kesaj kohe. Se jeton edhe ajo në këtë kohë ka mundësi të thotë Jo, apo Po kur e gjykon ajo. Në mes të lojës, në fund, etj etj!

Pastaj rikthimi i saj triumfues në Belgjikë dhe tani në Paris kanë të bëjnë vetëm me vullnetin dhe forcën e shpirtit që Simone e ka vetë të lindur. Këtë shpirtin luftarak s’ta mëson dot askush dhe s’ta mundëson as koha qoftë ajo e arta! E ke, ose nuk e ke!

Aktualisht Simone Biles ka marrë të gjithë medaljet e arit që ekzistojnë dhe një dhi prej diamanti qëndron në qafën e saj, jo pa kuptim./TiranaPost

Read Entire Article