Qindra persona u mblodhën në jug të Sirisë më 1 shtator duke kërkuar largimin nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad.
Protestat kanë shpërthyer dy javë më parë për shkak të kushteve të këqija të jetesës, por tani janë shndërruar në thirrje të ripërtërira për ndryshime politike.
“Largohu Bashar, liri për Sirinë”, ishin thirrjet e protestuesve në qytetin jugor Druznem në Sueida. “Siria nuk është fermë, ne nuk jemi dele”, shkruhej në një prej pankartave.
Siria është në krizë të thellë ekonomike, përderisa vlera e monedhës kombëtare ka rënë në nivel muajin e kaluar, duke u këmbyer për 47 funte për një dollar amerikan. Ky nivel i këmbimit është më i ulëti që kur ka nisur konflikti në Siri 12 vjet më parë.
Protestat shpërthyen në Sueida në gusht pas heqjes së subvencioneve për karburante. Kjo provincë ku jeton shumica e komunitetit Druze të Sirisë, ka qenë nën kontrollin e Qeverisë përgjatë luftës dhe gjerësisht nuk ka pasur dhunë.
Kritikat e hapur ndaj Qeverisë në zonat nën kontrollin e saj janë të rralla, por situata ekonomike është përkeqësuar, duke shkaktuar pakënaqësi te publiku.
Protesta e së premtes ishte e madhe, pavarësisht ndarjes brenda udhëheqjes Druze për demonstratat. Disa sheik të këtij komuniteti kanë kritikuar protestuesit që kërkuar dorëheqjen e Assadit, duke argumentuar se çdo përmirësim i situatës socio-ekonomike duhet të bëhet përmes dialogut.
Po ashtu, protesta më 1 shtator kishte edhe në Dara, ku kishin nisur protestat më 2011, që më pas çuan në luftë civile. Demonstrata janë mbajtur edhe në disa provinca të tjera të Sirisë.
Top Channel