“Situata është serioze”, diplomati shqiptar zbulon qëllimin e Serbisë me veriun e Kosovës: Ky shtet mund të provokojë Perëndimin!

2 weeks ago 34
Reklamë

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agim Nesho, i ka komentuar kërcënimet serbe, për të përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës, nëse Qeveria e Kosovës hap urën e Ibrit.

Nesho për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ato kanë qëllim destabilizimin e Kosovës.

“Kërcënimet e Serbisë për të përshkallëzuar situatën në qoftë se hapet Ura e Ibrit janë kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar Kosovën. Provokimi i armatosur i Banjskës i sponsorizuar nga Serbia tregon qartë për karakterin shovinist të regjimit të Beogradit, i cili edhe pa veprimet e Kurtit do të gjejnë shkaqe të tjera për të provokuar sërish në të ardhmen”, është shprehur diplomati.

Ai ka treguar edhe qëllimin e nacionalistëve serbë, duke treguar se aksionet e tyre varen nga Rusia.

“Nacionalistët serbë kërkojnë të blejnë kohë, nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për të fituar diçka nga Kosova dhe kanë për qëllim të zbatojnë doktrinën e ‘hapësirave serbe’ për të kthyer dominimin serb në Ballkanin Perëndimor. Por aksioni i tyre varet nga veprimet dhe përkrahja që mund të vijë nga Rusia. Janë dy momente që mund të mundësojnë përkrahjen ruse në këto momente: vështirësitë që po kalon Rusia nga sulmi i Ukrainës në territorin rus dhe zgjedhjet në SHBA, kur Rusia mund të provokojë qëndrimin e Perëndimit”, ka pohuar Nesho për “Bota sot”.

Ai e ka vlerësuar situatën në rajon si “serioze”.

“Situata është serioze dhe prandaj ishte dhe vizita e W. Burns në rajon. Si rregull shovinizmi serbo-rus nuk bën propagandë me synimet e tij, por e përdor propagandën vetëm për të justifikuar krimet e tij”, ka shtuar ish-ambasadori.

Insititcionet e Kosovës kanë nisur procedurat për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Por, këto veprime të autoriteteve të Kosovës, po kundërshtohen nga shtetet e QUINT-it.

Ndërsa, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ura e Ibrit të hapet me 14 ose 15 shtator, duke I bërë thirrje KFOR-it që mos e lejojë hapjen e saj.

Ai ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare do të përpiqet të vendosë liderë të rinj serbë, të cilët në fakt do të përpiqen të negociojnë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

comment

Read Entire Article