Situata në veri të Kosovës/ Thirrja e ministrit Hasani: Nuk i çohen më ushtri fqinjit tek kufiri, askush s’duhet ta vazhdojë më këtë lojë

9 months ago 19
10:51 16/01/2024

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe homologia e tij, Donika Gërvalla kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së tij, Hasani është shprehur se Kosova do të ketë gjithmonë aleat Shqipërinë, teksa ka thënë se ka përfunduar ajo kohë kur vendet i vendosin ushtritë në kufi me vendin fqinj. Hasani ka thënë se askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojë, të cilën e ka cilësuar qesharake.

Igli Hasani: Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në të mirë dhe në të keq, Shqipëria do të jetë pranë Prishtinës dhe shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë faktorëve që jetojnë në shekullin XXI, nuk i çohen ushtri fqinjit më tek kufiri dhe askush nuk duhet të vazhdojë më këtë lojën që është qesharake se të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për Kosovën është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë.

Në lidhje me masat ndëshkuese nën të cilat është vendosur Kosova nga aktorët ndërkombëtarë, ministri Hasani ka thënë se Kosova po i kryen detyrat e saj teksa ka shtuar se është fakt i pamohueshëm që liberalizimi i vizave në fillim të këtij viti, do i japë një impakt të ri këtij vendi.

Pyetje: Kosova është nën masa ndëshkuese për mosbindje ndaj aktorëve ndërkombëtarë për çtensionim të sitiuatës në veri. A mendoni që është koha të largohen këto masa ndëshkuese?

Igli Hasani: Vizita ime nuk është vetëm për masat shtrënguese, por është për të dakordësuar për veprimet që do të kryejmë në mënyrë të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Kosova po kryen detyrat e saj, është një fakt i pamohueshëm që liberalizimi i vizave do t’i japë një impakt të ri këtij vendi.

Ministrja e Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar se masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe ka shtuar se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të thotë fjalën e vet lidhur me atë që ka ndodhur në Banjskë. Gërvalla ka theksuar se jo larg kufirit me Kosovën janë duke u ushtruar grupe të tjera dhe ka bërë thirrje që kjo të marrë fund.

Pyetje: Ku jemi ne me largimin e masave dhe çfarë është duke bërë Kosova? A mundemi të presim që gjatë kësaj kohe të kemi largim të masave? A mendoni se ka ardhur koha që të ndëshkohet dhe Serbia?

Donika Gërvalla: Masat ndaj Kosovës, të padrejta dhe të pakuptueshme për shkak se asnjë diplomat evropian nuk është në gjendje të japë vlerësim se kur kushtet konsiderohen të përmbushuara që të hiqen masat. Masat ndaj Kosovës të padrejta, nuk mund të ndihmojnë për të heshtuar rreth faktit se Kosova ka treguar që në fillim të dialogut që është e interesuar që të arrijë rezultate dhe prandaj vazhdimisht e kemi ngritur zërin me qëllim që procesi i dialogut të ketë shans për përmbyllje, por deri më tani nuk po e shohim. Ka ardhur koha që BE të thotë fjalën e vet rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë. Jo larg kufirit me Kosovën janë duke u ushtruar grupe të tjera dhe kjo duhet të marrë fund. Bashkëpunimi rajonal do të duhej të ishte kryefjala.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article