Situata në Vlorë drejt normalizimit, por…/ Komisioni i Mbrojtjes Civile mblidhet pas reshjeve të dendura, çfarë parashikohet në orët në vijim

1 month ago 30

Situata në qytetin e Vlorës po shkon drejt normalizimit pas reshjeve të dendura që preku zonën gjatë pjesës së dytë të ditës së sotme. Intensiteti i reshjeve ka rënë, duke lejuar tërheqjen e ujit dhe rikthimin e qetësisë në qytet.

Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dërgoi sot në Vlorë 28 forca, 8 mjete me kalueshmëri të lartë, 2 motopompa për heqjen e ujit, një gomone dhe 5 mjete transporti për të ndihmuar në përballimin e situatës.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë tre orëve të fundit janë regjistruar rreth 180 mm reshje shiu. Kjo ka rezultuar në evakuimin e 33 familjeve, përkatësisht 55 persona, të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.

Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u diskutua për identifikimin e zonave me prurje uji që kërkojnë ndërhyrje. Po ashtu, u trajtuan çështje të menaxhimit të trafikut në qytet, furnizimin e pandërprerë me energji elektrike për hidrovoret dhe stacionet e pompimit, si dhe koordinimin mes strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se nuk parashikohen reshje me intensitet të lartë në orët në vijim, por do të vazhdojë të monitorojë situatën në terren për të ofruar mbështetje të nevojshme për Bashkinë e Vlorës. Një nga prioritetet mbetet pastrimi i kanaleve që janë bllokuar për shkak të prurjeve, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article