SKANDALI ME MBETJET TOKSIKE NGA KURUM/ Zyrtarisht dalin 500 punëtorë në rrugë, mbyllet Uzina e Çelikut

3 weeks ago 19
Reklamë

Mbetjet e dyshuara toksike që dolën nga Shqipëria dhe kishin destinacion Tajlandën kanë ngjallur një sërë reagimesh, nga ato politike deri te lëvizja e prokurorisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare, siç është OLAF, me një sërë paqartësish që presin të marrin përgjigje.

E sigurtë është se mbetjet të cilat siç thuhet zyrtarisht janë të Metalurgjikut, kanë tronditur edhe vetë KURUM-in, i cili ka ndërprerë aktivitetin në uzinat e çelikut dhe petëzimit, dhe ka nxjerrë në rrugë të paktën 500 punëtorë që mbanin familjet me bukë.

Se çfarë ka ndodhur KURUM refuzon ta thotë zyrtarisht duke shpërndarë informacione pa referimin e kompanisë, se në fakt gjithçka ka ndodhur me marrëveshje mes palëve pas negociatave me sindikatën e punëtorëve. Pra sipas KURUM, të gjithë kanë ikur të lumtur në shtëpitë e tyre, duke mbetur pa punë.

Report Tv kërkoi të mësojë më shumë duke iu drejtuar këtë të hënë në mëngjes (26 gusht) ambienteve të KURUM në metalurgjikun e Elbasanit, por askush nuk del të flasë mbi mbylljen e aktivitetit. E vetmja gjë që lëviz ishin trajlera dhe disa punëtorë që numërohen me gishtat e dorës.

Lëvizjet u shtuan pak orë më vonë kur një grup i krimit ekonomik te Durrësit zbarkoi ne ambientet e KURUM, e pas tyre priten edhe prokurorët të cilët kanë nisur hetimet për mbetjet e dyshuara toksike që dolën nga Porti i Durrësit përmes kompanisë Sokolaj, edhe ajo në hetim e mbrojtur pas faktit se ka eksportuar oksid të parrezikshëm hekuri e jo mbetje toksike.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla, zbuloi gjatë një bisede telefonike me Report Tv, se në marrëveshjen që KURUM pretendon se ka arritur, punonjësit janë përfaqësuar nga Taf Koleci, që sipas tij, më 29 dhjetor 2022 është shkarkuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, nga pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm i Federatës Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë.

Pra thënë thjesht, punëtorët janë përfaqësuar nga një krye-sindikalist i shkarkuar. Sipas Kol Nikollës, KURUM po kërcënon punonjësit, dhe po i përçan, duke manipuluar drejtuesit e punonjësve.

Report Tv kontaktoi edhe me Taf Kolecin, i cili pohon të ketë përfaqësuar punëtorët në negociatat me KURUM, pranon gjithashtu se ka një vendim gjykate që s’e njeh më kryetar, por thotë se e ka ankimuar në apel, edhe pse sipas vendimit të cilin Report Tv e lexoi, vendimi është i formës së prerë pasi brenda afateve ligjore, s’është bërë asnjë ankimim.

I kritikuar në disa shkrime në mediat online, se nuk ka qenë në mbrojtje të punëtorëve por të kompanive private, Taf Koleci në bisedën me Report Tv, thotë të tjera informacione nga ato që dihen deri më tani.

Uzina e Celikut sipas tij ka 6-7 muaj mbyllur, por është Uzina e Petëzimit e cila është mbyllur prej 1 jave.

“Është bërë marrëveshje që punonjësit e larguar të marrin 60% të rrogës”, thotë ai – duke shtuar se të njëjtët do të rikthehen në punë pasi siç taf Koleci thotë – do jenë në pritje të ardhjes së një firmë kineze rreth fillimit të nëntorit. Kjo kompani, për të cilin Koleci thotë se nuk ka dijeni për emrin, do të rimarrë në punë të larguarit që sipas tij nuk janë 500, por vetëm 250 punëtorë.

Marrëveshjet janë bërë individuale, tregon ai dhe me vullnetin e lirë të punonjësve, të cilët janë njoftuar 3 muaj më parë.

Uzina e Kurum është vënë edhe nën monitorimin e Inspektoriatit të Punës, për të parë nëse nuk janë shkelur të drejtat e punëtorëve, e se si do të mbrohen ata në rast se janë hedhur në rrugë.

Read Entire Article