Statistika për librat e historisë: Ajo çfarë ka bërë Shqipëria në këto kualifikime është thjeshtë magjike

10 months ago 16

Shqipëria, duke siguruar vendin e parë në grupin e saj të kualifikimeve, nuk ka arritur thjesht kualifikimin në Euro 2024, por ka arritur të regjistrojë golaverazhin më të mirë që kombëtarja ka pasur ndonjëherë në një proces kualifikues: +8.

Me 12 gola të shënuar dhe vetëm katër të pësuar, skuadra ka një bilanc të shkëlqyer që mund të përmirësohet edhe më tej në ndeshjen e mbrëmjes së sontme kundër Ishujve Faroe.

Përkundër humbjes në Poloni në ndeshjen e parë, kuqezinjtë kanë treguar një qëndrueshmëri të admirueshme në sulm duke shënuar gol në të gjitha ndeshjet e tjera.

Veçanërisht të impresionueshme janë rezultatet në shtëpi, ku Shqipëria mban një rekord të përbashkët me Francën, pa pësuar asnjë gol në fushën e vet gjatë këtyre eleminatoreve, ndërsa të katër golat e pësuar kanë ardhur si mysafire.

Nga ana tjetër, të gjitha fitoret e Shqipërisë kanë ardhur me një diferencë prej së paku dy golave, duke treguar një konsistencë dhe autoritet në lojë që s’kanë qenë të rastësishme nën drejtimin e trajnerit brazilian Sylvinho.

Gjatë shtatë ndeshjeve në grup, jo më pak se shtatë futbollistë të ndryshëm kanë gjetur rrugën e rrjetës. Jasir Asani dhe Nedim Bajrami kanë shënuar nga tri gola secili, Seferi ka shtuar dy të tjerë, ndërsa nga një gol kanë shënuar Kristjan Asllani, Ernest Muçi, Mirlind Daku dhe Sokol Cikalleshi.

Golat e Shqipërisë kanë ardhur nga lojtarët e saj sulmues dhe mesfushorë, duke treguar një kontribut të barabartë në fazën ofensive nga të gjitha pjesët e fushës.

Vetëm dy herë Shqipërisë i janë akorduar penallti gjatë këtyre eliminatorëve, njëra e humbur dhe tjetra e shënuar nga Cikalleshi.

Ky cikël rezultatesh pozitive – shtatë radhazi, me pesë fitore dhe dy barazime, gjashtë prej tyre në ndeshje zyrtare – është një rekord në historinë e futbollit shqiptar.

Ky sukses historik ka potencialin të zgjerohet më tej në ndeshjen e së mbrëmjes ndaj Ishujve Faroe, duke thelluar akoma më shumë një kapitull të jashtëzakonshëm në librat e historisë sportive të Shqipërisë. /Telegrafi/

Read Entire Article