Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg zhvilloi një vizitë në Kiev, ku u takua kokë më kokë me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, ku gjithashtu njoftoi se vendi po rimerr më shumë territore.
“Forcat e Ukrainës po ecin përpara. Ato po përballen me luftime të ashpra, por gradualisht po fitojnë terren. Sa më e fortë të bëhet Ukraina, aq më afër i afrohemi përfundimit të agresionit rus”, tha Stoltenberg.
Teksa bënë një panoramë të situatës së luftës dhe nevojat që vendi ka për t’i bërë ballë agresionit rus, Zelensky deklaroi se Stoltenberg ra dakord të bënte përpjekje për t’i bërë anëtarët e NATO-s të ndihmojnë në sigurimin e sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore.
“Përballë sulmeve të tilla intensive kundër ukrainasve, kundër qyteteve dhe porteve tona, të cilat janë thelbësore për sigurinë globale të ushqimit, ne kemi nevojë për një intensitet të presionit ndaj Rusisë dhe fuqizim të mbrojtjes sonë ajrore”, u shpreh Zelensky.
Ndër të tjera, sekretari i përgjithshëm u shpreh se NATO ka kontrata me vlerë 2.4 miliardë euro municione për Ukrainën, duke përfshirë armatime të ndryshme të nevojshme për vendin.
Top Channel