“Strategic Leadership Programme”, Veliaj: Të jesh lider i mirë duhet të dish të marrësh vendimet e duhura në momentin e duhur

6 months ago 3

TIRANE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot i pranishëm në eventin “Strategic Leadership Programme”, i organizuar nga Akademia e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë. Qëllimi i këtij kursi është përmirësimi i udhëheqjes dhe menaxhimit të lartë në nivel korporativ dhe strategjik, për sektorin e mbrojtjes dhe më të gjerë, të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Si i ftuar i veçantë, Veliaj tregoi për eksperiencën dhe vizionin e tij për qytetin, dhe si arriti ta kthejë këtë vizion në një histori suksese për Tiranën.

Ai tha se të jesh një lider i mirë duhet të kesh aftësinë të marrësh vendimet e duhura në momentin e duhur, pavarësisht kundërshtive momentale. Kryebashkiaku shprehu bindjen se vetëm kështu arrihet të bëhen punët e mira, që më pas përqafohen nga të gjithë.

“Disa nga vendimet që marrim përditë janë vendime rutinë: për të ndërtuar një rruge, e cila mund të kërkojë prishjen e një muri, çka mund t’i prishë rehatinë e dikujt etj. Këtu pyetja nuk është a është kjo popullore, por a është gjëja e drejtë dhe e duhur për t’u bërë? Dikush mund të rezervohet për të bërë gjënë e duhur nga frika se mos nuk është popullore apo nga frika se histeria kolektive mund ta nxjerrë jashtë kontekstit. Por, nëse bota do të funksiononte kështu, asnjeri nuk do merrte asnjë vendim të guximshëm dhe secili do rrinte tek ajo rehatia së tij, ta kem mirë me këtë, me atë. Aristoteli thoshte: Nëse nuk doni që të kritikoheni, ka një zgjidhje dhe është shumë e thjeshtë: Mos bëni asgjë! Njoh unë njerëz që kanë kaluar gjithë karrierën e tyre në gjumë dhe për këtë arsye mund të kenë pasur një jetë të rehatshme, por nuk kanë lënë një mbresë, nuk kanë lënë një shenjë, nuk kanë lënë një vepër që mbetet”, tha ai.

Nga ana jetër, Veliaj shtoi se edhe betejat kanë anën e tyre pozitive në vendimmarrje, sepse pa beteja dhe pa kundërshtarë, punët nuk do bëheshin më mirë. “Fakti që kemi kundërshtarë, rivalë, ndonjëherë kemi edhe armiq të punëve tona të përbashkëta, kjo duhet të na motivojë, se do të thotë që puna jonë ka lënë impakt dhe ka prodhuar kundërshti; nëse puna nuk do prodhonte asnjë kritikë, as kundërshti, as reaksion, do të thotë që puna që po bën nuk ka asnjë peshë e asnjë impakt!”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë sugjeroi që fokusi të jetë te finishi dhe jo te stërkëmbëshat, që sidomos nëse ka vendime të rëndësishme për t’u marrë, janë shumë të shpeshta.

“Disa prej nesh e prej jush, linçohen publikisht pse kanë marrë përsipër të bëjnë një detyrë. Nuk ka rëndësi nëse është një detyrë e votuar nga populli, parlamenti apo një detyrë ku jeni rekrutuar përmes një procesi transparent. Ndoshta, ju kuptoj më shumë se kushdo tjetër, se topat e baltës nuk janë një gjë e këndshme. Shumë prej njerëzve mendojnë se kush ka një angazhim publik, duhet të jetë njeri prej gome, që mund t’i gjuash’, t’i thuash çfarëdolloj gjëje, mund ta përgojosh, por harrojnë se edhe ata kanë një nënë, kanë fëmijë, një bashkëshort. Por, nëse shikojmë prespektivën dhe këto cic-micet e ditës i shohim vetëm si një pikë uji në një oqean shumë më të madh, kjo na bën të kuptojmë se betejat e vogla shërbejnë për të fituar një luftë shumë më të madhe. Ftesa për secilin është: mbajini sytë te finishi, sepse nuk jeni të vetëm në këtë betejë. Kur të shkruhet historia, punët e rëndësishme, pavarësisht stresit që shkaktojnë, do jenë një luftë e fituar në fund”, përfundoi Veliaj.

Të pranishëm ishin përfaqësues civilë dhe ushtarakë të institucioneve shtetërore nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me profil mbrojtjen dhe sigurinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article