Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit, ministri Peleshi diskuton dokumentet me gjeneralët aktivë dhe në rezervë

6 months ago 9

Pas finalizimit të Dokumentit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim Strategjinë Ushtarake dhe Planin Afatgjatë të Zhvillimit.
Në një tryezë të zgjeruar, ku morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji, gjeneralë aktivë dhe në rezervë, drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes e komandantë të forcave të ndryshme, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi rëndësinë e këtij procesi diskutimi e shkëmbimi mendimesh me grupet e interesit. Sipas ministrit Peleshi zhvillimet globale dhe rajonale kanë diktuar edhe rishikim të strategjisë së mbrojtjes dhe sigurisë. Z.Peleshi solli në vëmendje vijimin e konfliktit në Ukrainë, por edhe sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit.
“Bota po përjeton momente historike shumë delikate. Shqipëria është e vendosur në atë pjesë të globit, Ballkanin Perëndimor, ku konflikte të vjetra apo çështje të vjetra ndërmjet fqinjëve apo shteteve të ndryshme të këtij rajoni mund të rizgjohen në kushtet e skenës dhe arkitekturës së tronditur të sigurisë dhe të paqes në botë”, u shpreh ministri Peleshi. Ai konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, duke evidentuar faktin se një tjetër paketë ndihmash do të dërgohet brenda pak ditësh në Ukrainë.
“Kemi ndjekur së fundi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit. Natyrisht ne qëndrojmë dhe jemi pranë Izraelit në këto ditë të vështira dhe duhet thënë që Irani është një agresor jo vetëm ndaj Izraelit. Ne e kemi përjetuar edhe vetë para rreth dy vitesh një sulm hibrid kibernetik ndaj sistemeve tona digjitale, i cili ka qenë jo i lehtë për t’u përballuar, por me mbështetjen e partnerëve tanë, por edhe të kapaciteteve tona mbrojtëse kemi arritur të shmangim më të keqen. Por këto sulme janë një sfidë e vazhdueshme”, theksoi Ministri i Mbrojtjes.
“Irani nuk ka qenë në strategjinë tonë të mbrojtjes kombëtare një kërcënim, por sot po flasim për sulme të përjetuara nga Shqipëria. Kemi ndërprerë marredhëniet diplomatike me Iranin gjë që tregon që natyra e kërcënimeve ka ndryshuar”, vuri në dukje Ministri Peleshi.
Duke evidentuar përpjekjet që po bëhen për modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse, Ministri i Mbrojtjes renditi mes të tjerash hapjen e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë, duke shprehur edhe ambicien që përmes të njëjtit shembull të vihet në dispozicion të NATO-s edhe Porto Romano.
Ministri i Mbrojtjes dëgjoi me vëmendje mendimet e shprehura nga të pranishmit në tryezën e zhvilluar, duke u zotuar se do të analizohen me vëmendje të gjitha propozimet. Strategjia Ushtarake dhe plani Afatgjatë i Zhvillimit pritet që pas fazës së konsultimit të miratohen në Parlament.
Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura përkthen objektivat e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Strategjisë Ushtarake, skenarët e rishikimit strategjik të mbrojtjes 2013 si dhe konceptin strategjik të NATO-s në kapacitete ushtarake, duke tentuar plane orientuese në pikëpamje të kohës dhe burimeve të disponueshme. Ky dokument përcakton drejtimet e zhvillimit të Forcave të Armatosura dhe orienton ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e misionit kushtetues dhe mbrojtjen kolektive mbi bazën e burimeve, në harmoni me Sistemin e Planifikimit të Mbrojtjes së NATO-s. Në të përshkruhen mjetet, me të cilat FA do të përmbushin objektivat ushtarakë të përcaktuar në Strategjinë Ushtarake dhe që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare.
Ndërsa Strategjia Ushtarake është dokumenti themelor që jep parimet dhe konceptet kryesore për zhvillimin, përdorimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s. Siguria dhe mbrojtja e Republikës së Shqipërisë janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s, me përfitimet dhe detyrimet përkatëse, që rrjedhin prej saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article