Studentët filluan më 29 dhjetor një bllokadë 24-orëshe të kryqëzimit të rrugëve në qendër të Beogradit, duke protestuar pas akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe duke kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.
Ky lokacion është një nga më të ngarkuarit në kryeqytetin e Serbisë.
Ata po bllokojnë kryqëzimin e rrugëve Birçaninova dhe Kneza Millosha, në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.
Siç raportoi një gazetar i Radios Evropa e Lirë (RSE), policia rrugore po rregullon trafikun në një zonë dhe po shmang automjetet.
Aktivista Ivan Bjelić kazao je da će od 12 časova pa narednih 24 časa u Beogradu biti blokirana raskrsnica ulica Birčaninove i Kneza Miloša, kada će studenti i mladi pokušati da izvrše pritisak kako bi Ministarstvo državne uprave i samouprave ispunilo njihove zahteve.
"Imaćemo… pic.twitter.com/wFuIFv1m5E
— TV N1 Beograd (@n1srbija) December 29, 2023
Rruga Kneza Milosha është një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet, raporton evropaelire.
Një nga organizatorët, Ivan Bjelic, duke folur me megafon, tha se automjetet e ambulancës do të lejohen të qarkullojnë gjatë bllokadës.
Ai paralajmëroi një program muzikor gjatë bllokadës si dhe ngritjen e një kampi me tenda.
Siç njoftuan më herët, bllokada do të zgjasë 24 orë – deri të shtunën e 30 dhjetorit në mesditë – kur planifikojnë t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.
Kjo është vetëm një nga protestat e studentëve. Të fundit u mbajtën më 27 dhjetor përballë Fakultetit Filozofik.
Atë ditë ata kanë përsëritur zyrtarisht kërkesën e tyre për hapjen e listës zgjedhore për të përcaktuar nëse ka parregullsi në të.
Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje në zgjedhje duke regjistruar në adresat e Beogradit votuesit e saj nga Serbia dhe jashtë vendit.
Dyshime për rregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të rënda, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.