Takimi i fshehtë Vuçiq-Radoiçiq, kërkohet kjo gjë nga shqiptarët – ja si të veprojë qeveria Kurti

1 month ago 5
Reklamë

Së fundi, vëmendje mori një raportim se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fillim të këtij muaji është takuar me kryekriminelin Milan Radoiçiq.

Sipas burimeve të televizionit publik brenda organeve të sigurisë së Kosovës, takimi ka ndodhur gjatë vizitës që presidenti serb ka pasur në qytetin e Kragujevcit, në fillim të muajit korrik. Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë mbështetjen e grupit kriminal të Milanit Radoiçiqit, për protestat e mundshme, për opozitën në Serbi si dhe shkaktimin e incidenteve/sulmeve në veri të Kosovës.

Sipas këtyre burimeve për shkak të presionit ndërkombëtar, takimi është tentuar të mbahet sekret. Vuçiq dhe Radoiçiq, janë pajtuar që me raste të kritikojnë njëri-tjetrin në qarqe të caktuara, për të kamufluar bashkëpunimin e afërt që e kanë.

Thuhet se Vuçiq i ka konfirmuar Radoiçiqit fuqizimin e mbështetjes së shtetit dhe të institucioneve të Serbisë për vazhdim të aktiviteteve të tyre, ndërsa Radoiçiq ka shprehur edhe një herë besnikërinë ndaj Vuçiqit.

Bazuar në gjithë detajet e fundit në lidhje me këtë takimin Vuçiq-Radoiçiq, duhet theksuar faktin se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, në vazhdimësi kanë paralajmëruar mundësinë e provokimeve dhe sulmeve të tjera nga grupi i Milan Radoiçiqit.

Ky i fundit, dihet se po kryen trajnime të vazhdueshme dhe po strehohet në Serbi, derisa vazhdon ende të jetë i lirë edhe kur kanë kaluar afër 1 vit, që nga sulmi terrorist në Banjskë.

Është e pritshme që në këtë takim, temë kryesore e kryekriminelit Radoiçiq e Vuçiq ka qenë Kosova.

Por, çfarë planesh kanë mund të ‘thurin’ ata kundër shteti tonë dhe si duhet vepruar?

Zogaj: Takimet e Vuçiqit me Radoiçiqin janë vetëm për konsumin e brendshëm

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Skender Zogaj.

Si fillim, ai u shpreh se shteti serb po t'i jepet rasti i zhdukë të gjithë shqiptarët.

Image

Skender Zogaj

Po ashtu, tha se takimi i Vuçiqit me kryekriminelin Radoiçiq është vetëm për konsum të brendshëm, kjo pasi ky i fundit nuk guxon të hyjë më në Kosovë.

“Fakti që Kosova e ka përqendruar vëmendjen te sorollatjet e banditit Aleksandar Vuçiq dhe bashkëpunimet e tij me kriminelët dhe grupet kriminale të kohës së Millosheviqit, nuk është veprim i mirë për Kosovën, e cila njëherë e mirë duhet ta fiksojë se Serbinë e ka armike të përbetuar e cila, jo vetëm që kurrë nuk mendon mirë, por po t'i jepet rasti i zhdukë të gjithë shqiptarët!

Pra, këtë po përpiqet ta bëjë Vuçiqi i gjorë, duke koketuar me Milan Radoiçiqin, që s'është veçse një frikacak i mjerë, i cili është duke u fshehur si mini, e që me ia dhënë botën nuk ia mësynë më Kosovës. Takimet e Vuçiqit me Radoiçiqin janë vetëm për konsumin e brendshëm, shtresën injorante serbe, tek e cila kanë me lënë lëkurën e trupit edhe Vuçiqi edhe gjithë radoçiqat!” – u shpreh publicisti.

Krahas kësaj, Zogaj tregoi se si duhet vepruar Kosova, ku kërkoi përgatitje për vetëmbrojtje.

Për këtë, kërkoi ndihmën e të gjithëve për modernizimine FSK-së.

“Duke qenë kështu, Kosova duhet të jetë vigjilente me qenë e informuar me këto takime për aq sa mundet, por në vend të fjalëve dhe komenteve banale, të përgatitet sot e gjithmonë, për vetmbrojtjen e vendi! 

Shqiptarët e Kosovës kudo që janë të bëhen të fortë dhe, të gjithë pa dallim, kudo që janë, në kontot e tyre ta krijojnë fondin persinak rezervë, me shumën prej 20% të fitimeve me dedikim, për vetëmbrojtje për raste krize të vendit të tyre. Sidomos, këtë duhet ta bëjnë të mërgimtarët tanë që kanë investua në Kosovë, qoftë edhe duke ble një banesë, duhet të kuptojnë se, kapitalin në rast rreziku duhet mbrojtur! Dhe kjo punë bëhet me para: FSK-ja duke u modernizuar dhe duke e nisur sa më parë përgatitjen e obligueshme ushtarake të të gjithë të rinjve, djem e vajza mbi 18 -26 vjeç. Kjo është domosdoshmëri aktuale, nëse vërtetë e duam Kosovën shtet, të lirë dhe të pavarur!”

Këtë duhet ta bëjmë dhe Radoiçiqët le të vijnë kur të duan për të shkaktuar incidente, sepse, tash për tash sigurinë e ka KFOR-i, të cilin kur të ketë nevojë dhë nëse e kërkon, aty është FSK-ja dhe Policia e Kosovës! Nëse kështu vepron Kosova, duhet e informuar saktë dhe rregullisht bashkësinë ndërkombëtare, ajo pastaj i di punët e veta dhe mënyrat e reagimit!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Nëse operojmë zgjuar në koordinim me miqtë tanë, s’ka kush çfarë na bën

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj potencoi se e gjithë bota e di që Serbia është e kriminalizuar, por që shteti unë duhet të investojë më shumë në reagimet karshi armikut tonë.

Image

Leon Duhanaj

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se duhet të ketë plane të qarta dhe jo të fokusohemi te lufta hibride e Beogradit.

“Që Serbia akoma vazhdon të jetë një shtet i kriminalizuar, këtë e di e tërë bota. Megjithatë, për ne si shqiptarë, si shtet i pavarur i Kosovës, duhet të mos investojmë shumë kohë për t'u orientuar drejtë reagimeve karshi Serbisë.

Në vend të kësaj, duhet të merremi me planet tona.

Për fat të keq, viteve të fundit na kanë munguar fare plane të tilla dhe jemi fokusuar në një luftë hibride me Serbinë, luftë e cila nuk na sjellë asnjë dobi”, nënvizoi ai.

Po ashtu, analisti kërkoi bashkëpunim dhe koordinim më të thellë të qeverisë Kurti me komunitetin ndërkombëtare.

Siç e dimë edhe nga e kaluara, Serbia çdoherë ka qenë agresive dhe me plane famëkeqe karshi Kosovës. Por, Kosova ja ka dalë mbanë në të gjitha proceset, falë zgjuarsisë së udhëheqësve politik, të cilët kanë negociuar me shtetet mike e nuk ja kanë vënë veshin se çfarë kërkon Serbia.

Qeveria Kurti, nuk e vazhdoj rrugën e trasuar me herët, prandaj fokusi i saj është koketimi me deklarata politike pa mbulesë sa për t'ua mbushur egot mbështetësve militantë të shumtë.

Kryeministri Kurti duhet urgjentisht, të ndërpres qasjen destruktive karshi komunitetit ndërkombëtar (QUINT), sepse pa ndihmën e tyre, nuk arrijmë të bëjmë asgjë.

Nëse operojmë zgjuar në koordinim me miqtë tanë, s’ka kush çfarë na bën. Nëse vazhdojmë me avazin e deritanishëm të konfrontimit, atëherë nuk përjashtohet asgjë”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Read Entire Article