Takimi Kurti - Erdogan ‘lajm’ i keq për Serbinë: Elita politike serbe ia ka frikën presidentit turk – ja e veçanta e bashkëpunimit me Turqinë!

4 months ago 8

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka realizuar një vizitë së fundi në Turqi.

Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, i pari i qeverisë sonë është mirëpritur nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan diskutoi për lidhjet dypalëshe dhe çështje të tjera me kryeministrin Albin Kurti në kompleksin presidencial në Ankara, tha Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë.

Në pritjen e cila zgjati 1 orë e 50 minuta, ishin të pranishëm edhe nënpresidenti Cevdet Yilmaz dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yashar Gyler.

Zyra për informim e Presidencës turke tha se gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Kosovë, konflikti Izrael-Hamas, si dhe problemet rajonale dhe globale.

“Gjatë takimit, presidenti Erdogan theksoi rëndësinë e rritjes së vëllimit tregtar mes Turqisë dhe Kosovës, me synimin që të kalojë 1 miliard dollarë, e cila aktualisht është në rreth 750 milionë dollarë. Ai gjithashtu theksoi potencialin për rritje shtesë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”, u tha në njoftim.

Presidenti turk shprehu përkushtimin e Turqisë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat.

“Ai po ashtu përmendi se Kosova pritet të ndërmarrë veprime, veçanërisht në fushën e kundër-terrorizmit. Ai vuri në dukje se zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një zhvillim pozitiv, por është thelbësore të shihet përparim i prekshëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, u tha më tej në komunikatë.

Analistët politikë folën mbi rëndësinë e kësaj vizite të Kurtit dhe rëndësinë e marrëdhënieve me Turqinë.

Xani: Bashkëpunimi diplomatik dhe marrëdhëniet diplomatike me çdo shtet janë të rëndësishme

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Visar Xani.

Image

Visar Xani

Sipas tij, është e rëndësishme të kemi marrëdhënie diplomatike me çdo shtet.

Ai potencoi se shteti turk është një partner strategjik për shtetin tonë.

“Bashkëpunimi diplomatik dhe marrëdhëniet diplomatike me çdo shtet janë të rëndësishme, aq më shumë me ato shtete që pak a shumë na lidh edhe e kaluara.

Por në një mënyrë, Turqia ka qenë partnere e rëndësishme në disa aspekte strategjike për Kosovën”.

Kësisoj, ai vlerësoi se vizitat, si kjo e Kurtit në Turqi ndihmon që synimet tona të jenë të koordinuara.

Analisti potencoi se duhet të ketë koordinim me shtetin turk në çështjen e lobimeve për njohje të reja.

“Prandaj, vizitat e tilla mund të shërbejnë në rritjen e kësaj fryme, me qëllim që të paktën synimet tona strategjike të jenë të koordinuara apo të mbështetura në shumë aspekte, sidomos në çështje të lobimit rër të siguruar njohje të reja.

Për shkak që Turqia ka një ndikim të madh në vende myslimane. Po ashtu edhe nga karakteri ekonomik është një bashkëpunim i mirëseardhur.

Gjithsesi ne e konsiderojmë aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që edhe zhvillimi i bisedave, takimeve me shtete tjera, në çdo frymë të bashkëpunimit është i mirësardhur”, përfundoi Visar Xani për “Bota sot”.

Mehazi: Takimi i Kurtit me Erdoganin është i besueshëm për Kosovën

Image

Sulejman Mehazi

Kurse, profesori Sulejman Mehazi e cilësoi si shpresëdhënëse vizitën e Kurtit në Turqi dhe takimin e tij me Erdoganin.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se kjo vizitë do sjellë bashkëpunime të Kosovës me Turqinë në shumë fusha të ndryshme.

“Shkuarja e kryeministrit të Kosovës në Turqi dhe takimi i tij me presidentit e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është një nga vizitat më shpresëdhënëse për Kosovën, sidomos vlen të përmendet bashkëpunimi i kryeministrit Kurtit me presidentin Erdogan në disa çështje e aspekte ekonomike, tregtare, arsimore-shkencore, kurse e veçanta e bashkëpunimit të Kosovës me Turqinë do jetë ajo e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës nga armiqtë e saj, sikurse që është Serbia”, deklaroi profesori.

Po ashtu, Mehazi e vlerësoi si të besueshëm shtetin turk, derisa tha raportet me të janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Krahas kësaj, përmendi faktin se Turqia pas SHBA-së është forcë e dytë e NATO-s.

“Takimi i kryeministrit Kurtit me presidentin e Turqisë, Erdogan, është më i besueshëm për Kosovën sesa takimi i Kurtit me diplomatet evropianë të cilët ndaj Kosovës ndonëse prezantojnë "paqe" duke e përkrahur e nxitur Serbinë për ripërsëritjen e një lufte te re në Kosovë.

Shkuarja e Kurtit në Turqi e ka simbolikën e një vizite të një Kosove të dytë, pasi dihet se në Turqi jetojnë shqiptarë më shumë sesa në Kosovë, Shqipëri dhe RMV.

Në këtë kohë marrëzia politike të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës shumë më e dobishme dhe e rëndësishme është që kryeministri Kurti të bëjë aleancë mbrojtëse dhe sigurie me Turqinë sesa me diplomatët psikolabilë e të shitur të BE-së dhe SHBA-së. Turqia pas SHBA-së është forcë e dytë e NATO-s dhe një ndër dhjetë shtetet më të fuqishme politike, diplomatike, ekonomike dhe sigurie në botë”.

Ndër të tjera, profesori shtoi se elita politike serbe i frikësohet Erdoganit, derisa potencoi edhe rolin e ushtarëve turq të KFOR-it në veri.

“Argumente sigurie të Kosovës ndaj Serbisë janë edhe ushtarët turq të KFOR-it në veri të vendit të cilët që nga ardhja e ushtareve turq të KFOR-it në kufi me Serbinë terroristët serbë janë zhdukur nga frika e ushtarëve turq të NATO-s.

Elita politike serbe aq ia kanë frikën presidentit të Turqisë, Erdoganit, që para disa viteve kur Erdogani vizitoi Beogradin, Daçiqi, për t'ia bërë qejfin ia këndoi turqisht këngën "Osman aga”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Read Entire Article