Tanket izraelite rrethojnë tjetër spital në Gaza

10 months ago 30
22:18 20/11/2023

Nga luftimet e para të paktën 12 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën

Tjetër betejë me spitalet e Gazës. Tanket e forcave pushtuese izraelite rrethuan të hënën Spitalin Indonezian të Gazës, duke sinjalizuar vazhdimin e ofensivës tokësore pranë një tjetër spitali të enklavës. Në pamjet e para që qarkulluan online dëgjohej edhe zhurma e armëve.

Nga luftimet e para, të paktën 12 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga zjarri izraelit. Sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, 700 pacientë së bashku me stafin ndodhen tani nën rrezikun e vazhdueshëm të zjarrit izraelit.

“Pushtuesi tani e ka vënë në rrethin e vdekjes spitalin indonezian. Që në orët e para të mëngjesit, pushtuesi izraelit e ka vënë në shënjestër këtë spital me artileri dhe me plumba të snajperëve. Spitali është plotësisht i rrethuar.”

Ashtu si të gjitha objektet e tjera shëndetësore në veriun e Gazës, Spitali Indonezian ka pushuar kryesisht funksionimin, por po strehon ende pacientë, personel dhe banorë të shpërngulur.

Grupi i parë i foshnjave të lindura prematurë, që u evakuuan nga spitali “Al Shifa”, kaluan në Egjipt për trajtim mjekësor ndërsa më herët të paktën tre prej tyre humbën jetën për shkak të kolapsit të shërbimeve mjekësore të shkaktuar pjesërisht nga ndërprerjet e energjisë kur mbaroi karburanti.

Pamjet e shpërndara nga qeveria egjiptiane treguan stafin mjekësor duke ngritur me kujdes foshnjat e vogla nga brenda një ambulance dhe duke i vendosur në inkubatorë të lëvizshëm, nën shoqërimin e vazhdueshëm të forcave izraelite.

Palestinezët në Khan Younis kontrolluan të hënën nëpër rrënojat e një shtëpie të shkatërruar nga një sulm ajror. Sipas dëshmitarëve, shumë fëmijë u vranë dhe u plagosën dhe disa njerëz mbetën ende të bllokuar nën rrënoja. Nga sulmet ajrore u dëmtuan edhe shtëpitë aty pranë.

Sirenat e sulmeve ajrore ranë sërish nëpër Tel Aviv, duke i detyruar vendasit në mbrëmje të ngujohen nëpër vendstrehime. Ndërkohë në Rripin e Gazës, pati shpërthime të shumta. Mbi enklavë u panë shtëllunga të mëdha tymi rreth perëndimit të diellit, ndërsa Izraeli vazhdon të godasë zonën prej gjashtë javësh.

Forcat izraelite kanë kapur zona të gjera në veri, veriperëndim dhe lindje të qytetit të Gazës. Por Hamasi dhe dëshmitarët thonë se militantët po zhvillojnë një luftë të stilit gueril rreth qytetit të Gazës dhe kampeve të refugjatëve Jabalia dhe Beach.

Këto luftime po i bëjnë të përditshme funeralet e rezervistëve në Izrael. Ushtarë të tjerë u bashkuan me familjen dhe miqtë në Mazkeret Batya, në funeralin e një ushtari 23-vjeçar izraelit i vrarë në Gaza. Togeri Adir Portugal, i cili ishte rezervist, u gradua pas vdekjes në gradën e kapitenit dhe vdiq në një luftë që ka hyrë në javën e 6-të dhe nuk tregon asnjë shenjë se mbaron së shpejti.

Klan News


Read Entire Article