Situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut. Të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët.
Po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.
Në ndihmë të bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.
Sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur.
Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë.
Forcat operacionale do të vijojnë punën deri në kthimin e plotë të situatës në normalitet.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb