Tërheqja e Bidenit - Profesori amerikan paralajmëron presioni të ri ndaj Kosovës, çka do të ndodhë në vitin 2025

1 month ago 10
Reklamë

Profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns, David Kanin, ka komentuar tërheqjen e presidentit amerikan Joe Biden, nga zgjedhjet e reja që do të mbahen në nëntor të këtij vitit.

Për gazetën “Bota sot”, eksperti amerikan ka analizuar se nëse Biden do të tërhiqej para fillimit të fushatës zgjedhore, ai do të lavdërohej si një burrë shteti i mençur.

Kjo vonesë, sipas tij, mund të ngrit shqetësimet se problemet e tij shëndetësore, do ta pengojnë në kryerjen e detyrave deri në fund të mandatit.

“Nëse Joe Biden do të tërhiqej nga gara përpara sezonit fillestar të fushatës, duke thënë se ai kishte mposhtur Donald Trump, kishte kryer një administratë të suksesshme dhe tani po ia kalonte stafetën politikanëve më të rinj, ai do të lavdërohej si një burrë shteti më i mençur. Në vend të kësaj, ai u ngjit pas kandidaturës së tij pas një shfaqjeje katastrofike debati, duke u tërhequr vetëm pas javësh presioni në rritje nga brenda Partisë së tij Demokratike. Rezultati është shqetësimi publik se problemet shëndetësore të Biden mund ta pengojnë atë të kryejë detyrat e tij gjatë muajve të tij të fundit në detyrë – një çështje që do të ndjekë Kamala Harris ndërsa ajo përpiqet të shpëtojë shanset e demokratëve në nëntor”, ka deklaruar Kanin.

Biden në njoftimin e tij për largimin nga gara, shfaqi përkrahjen e tij për nënpresidenten Kamala Harris, si kandidate për presidente të Amerikës.

Edhe sipas profesorit Kanin, Harris është zgjedhja e vetme praktike e Partisë Demokratike. Ai ka përmendur disa nga përparësitë e Harrisit ndaj kandidatit republikan Donald Trump.

“Zëvendëspresidentja Harris është zgjedhja e vetme praktike e demokratëve. Mbështetja e Biden ka lënë të lirë një kaskadë përkrahjesh lart e poshtë partisë. Përparësitë e saj janë rinia e saj relative dhe fakti se do të bëhej presidentja e parë femër e SHBA-së. Ajo duket e qetë duke diskutuar çështjet sociale dhe ka të ngjarë të konkurrojë me Trump për çdo gjë që ka të bëjë me politikën e brendshme dhe madje edhe çështjet ekonomike dhe financiare që Trump pretendon se i di aq mire”, ka analizuar eksperti për “Bota sot”.

Por, sipas David Kanin, Kamala Harris duhet të përmirësojë lojën e saj në fushën e politikës dhe jashtme dhe të sigurisë.

“Deri më tani ajo nuk ka treguar më shumë se kuptim rudimentar të politikës së jashtme dhe problemeve të sigurisë. Asaj do t'i duhet të përmirësojë pak lojën e saj në këtë fushë nëse do të jetë në gjendje të prezantojë veten si "Presidente". Republikanët jo vetëm që do ta testojnë atë për këtë, por do - dhe tashmë kanë filluar ta akuzojnë atë se ka gënjyer vendin për gjendjen shëndetësore të Biden. Disa kërkojnë që ajo të thirret në amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA dhe ta largojnë atë nga detyrat e saj tani”, është shprehur ai.

Kanin ka përmendur edhe atentatin ndaj ish-presidentit Trump, për të cilin ka thënë se ka thelluar admirimin e bazës politike për të.

“Si i përgjigjet ajo kësaj dhe nëse ajo mund të kundërsulmojë në mënyrë efektive kundër komenteve përçmuese të Trump për Biden dhe veten e saj, do të japë një ide nëse ajo ka një mundësi për të fituar presidencën. Përpjekja për vrasje kundër Trump thelloi admirimin e tërbuar që baza e tij politike ndjen për të, por fjalimi i tij i rrëmujshëm i pranimit në konventën republikane dhe fyerjet e Biden dhe Harris rrezikojnë t'u kujtojnë disa votuesve pse ishin lodhur nga akti i tij deri në vitin 2020. Përfundimi është se Kamala Harris dhe demokratët po e nisin nga pas dhe kanë shumë punë për të bërë nëse duan të shmangin atë që sot do të ishte një triumf elektoral i Trump dhe populizmit amerikan”, ka nënvizuar profesori në Universitetin Johns.

I pyetur nëse tërheqja nga gara presidenciale e Bidenit, do të ndikojë edhe në Kosovë, ai është përgjigjur se ky veprim i tij do të ketë pak ndikim menjëherë në vendin tonë.

Ai parashikon që presioni ndaj Kosovës, sidomos për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, do të shtohet në vitin 2025.

“I gjithë ky veprim politik do të ketë pak ndikim të menjëhershëm në Kosovë. Amerika do të jetë e preokupuar me fushatën zgjedhore, Presidenti Biden do të fokusohet në luftërat në Gaza dhe Ukrainë dhe nuk ka asnjë tregues që strategjia perëndimore në Ballkan do të bëhet papritur koherente.

Megjithatë, presioni ndaj Prishtinës ka të ngjarë të rritet në vitin 2025. Trump ishte dashamirës ndaj Serbisë ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe ka të ngjarë të jetë sërish nëse kthehet në janar. Nga ana tjetër, Harris ka të ngjarë të dijë shumë pak për rajonin dhe – nëse zgjidhet – mund të varet nga grupi i diplomatëve dhe ekspertëve të brendshëm që mbeten të fiksuar me krijimin e një Asociacioni të Komunave Serbe në Kosovë”, ka përfunduar David Kanin për “Bota sot”.

Read Entire Article