“Tetori Rozë”/ Berisha takim me gratë: PD do të bëjë gjithçka për organizim në betejën kundër kancerit të gjirit

11 months ago 23
18:49 24/10/2023

Në kuadër të “Tetorit Rozë”, kryedemokrati Sali Berisha ka marrë pjesë në një aktivitet kushtuar sensibilizimit për kancerin e gjirit. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për një organizim jashtëzakonisht të veçantë në betejën kundër kancerit të gjirit.

Sali Berisha: Me një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat e këtij vendi të cilat janë padiskutim pjesa, ose gjysma e kombit më aktive, më kreative, më vitale dhe më e rëndësishme. Unë dua të falënderoj Erjetën që ka bërë të mundur të hapim këtë aktivitet me veprat e saj në mozaik që shkrijnë të gjithë ndjenjat e Erietës për gruan, femrën, Tiranën, qytetin e saj, me të vërtetë mozaik shumë i veçantë, me frymëzime nga impresionistë, nga piktorë të tjerë me frymëzime nga qyteti. Ka aty një vepër ‘Tirana që qan’, është një kryevepër kushtuar barbarisë së vërtetë që përjetoi qyteti në rrafshin urbanistik, arkitekturor. Sot ne mblidhemi për të dhënë një mesazh në mbarë Shqipërinë, për të rritur ndjeshmërinë e nënave, motrave, vajzave, grave shqiptare ndaj një armiku të egër, pa mëshirë, që merr çdo ditë në mënyrën më të pamerituar jetët e tyre dhe në çdo moshë. Kanceri është një armik i egër i njeriut, siç është sëmundja në tërësi, ndaj duhet luftuar, duhet ruajtur vetëdija e madhe konstante e përditshme kundër tij. Nga format e përhapura jo pak, është kanceri i gjirit, por ky lloj kanceri ka një raport të veçantë me kapjen, zbulimin e tij të hershëm. Dhe nëse ne rritim vetëdijen e vajzave, grave për rëndësinë e jashtëzakonshme për kapjen e hershme, ne shkojmë në kufijtë e shërimit, të fitores mbi të, e shpëtimit të jetës. Fatkeqësisht procedurat e shoshitjes, të cilat duhet të ishin ndër më rutinoret nuk janë, ndaj mbeten format e kontrollit vetjak të vazhdueshëm me gjakftohtësi, me vëmendje në mënyrë që çdo ndryshim i dyshimtë të kapet në kohën më të parë. Sot jemi në një ditë ku duhet të bëjmë gjithçka për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve kundër këtij armiku. Ju siguroj se PD do të bëjë gjithçka për një organizim jashtëzakonisht të veçantë në betejën kundër kancerit të gjirit në përpjekjen për shëndetin e njerëzve dhe në luftën e pamëshirë kundër 2 armiqve të tjerë, tiranisë dhe varfërisë./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article