“Transparenca në sistemin e drejtësisë lë për të dëshiruar”, BIRN: Hyn në fuqi udhëzuesi i marrëdhënieve të gjykatave me publikun dhe median

10 months ago 36

Udhëzuesi Standard i Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, i miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ më 6 dhjetor, hyri në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare të datës 16 dhjetor. Udhëzuesi përcakton rregullat dhe procedurat e informimit dhe komunikimit me publikun dhe median, me ose pa interesimin e tyre të drejtpërdrejtë. Transparenca në sistemin e drejtësisë vijon të lërë për të dëshiruar dhe udhëzuesi i ri u hartua pas diskutimeve dhe sugjerimeve nga aktorë të fushës mediatike, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.

Në udhëzues thuhet se shërbimet për marrëdhëniet me publikun dhe median ushtrohen nga gjyqtari dhe nëpunësi civil i caktuar, që bashkëpunojnë edhe me anëtarin e KLGJ përgjegjës për marrëdhëniet me publikun dhe median, për unifikimin dhe standardizimin e komunikimit.

Veç formave të komunikimit me publikun dhe median, në udhëzues përcaktohen edhe mënyrat e komunikimit në rast të situatave të veçanta kritike, ku si të tilla konsiderohen ato që kërkojnë komunikim të shpejtë; ngjarjet me ndjeshmëri të lartë publike; publikimi i informacionit të pasaktë për çështjet në proces; sulmet publike kundër gjykatës dhe ndaj gjyqtarëve, etj..

KLGJ e ka ndarë informacionin në dy formate, atë që vihet në dispozicion pa kërkesë që përfshijnë informacione apo dokumente të cilat nuk ndalohen me ligj të bëhen publike. Vendimet gjyqësore është përcaktuar si rregull të publikohen të anonimizuara duke u fshirë të dhënat personale, që konsiderohen gjeneralitetet e palëve dhe të personave të tretë; numri personal i identifikimit; numri i telefonit; adresa postare dhe elektronike; numri i llogarisë bankare; targa e makinës; si dhe çdo e dhënë ose element tjetër që identifikon subjektin e të dhënave personale; të dhënat e të miturve; si dhe çdo e dhënë që që pretendohet nga pala në gjykim që cenon dinjitetin dhe jetën private të palëve ose të personave të tretë.

Në udhëzim përcaktohet se të dhënat e personave juridikë, personave fizikë tregtarë, si dhe institucioneve dhe organeve publike kur ata janë palë në proces, ose kur janë persona të tretë ose të përmendur gjatë parashtrimit të fakteve në vendimin gjyqësor, nuk janë objekt i anonimizimit. Në rast se pala jep pëlqimin para gjykatës për publikimin e plotë të të dhënave personale, atëherë lejohet publikimi i plotë i tyre.

Udhëzuesi i ri ka përcaktuar publikimin e plotë të të dhënave të personave të akuzuar që shpallen fajtorë për veprat penale që gjykohen nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; kur i akuzuari është zyrtar apo punonjës i administratës publike që ushtron funksione të tjera, i cili shpallet fajtor me vendim gjyqësor për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, si dhe çdo vepër tjetër penale e cila lidhet me funksionin e tij; për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik në zgjedhje; kur i akuzuari shpallet fajtor për krime kundër njerëzimit, për krime seksuale, për mashtrime

Sipas KLGJ, dosjet gjyqësore mund aksesohen në çdo kohë nga palët në proces, përfaqësuesit ligjorë të tyre, gjyqtari apo trupa gjykuese e çështjes, prokurori, si dhe çdo person ose institucion publik tjetër i autorizuar sipas ligjit. Ndërsa personave të interesuar për përdorimin e vendimeve gjyqësore për qëllime studimore, shkencore, statistikore, literature apo gazetarie, i vihet në dispozicion vetëm kopja e vendimit të plotë. Ndërsa dosja e plotë vendoset në dispozicion vetëm me kërkesë të motivuar ku të argumentohet pamundësia e realizimit të qëllimit të aksesit vetëm nëpërmjet konsultimit të vendimit. Por në çdo rast, personi që kërkon akses është i detyruar të ruajë konfidencialitetin e informacionit duke nënshkruar deklaratën përkatëse.

Ndryshe nga më parë, udhëzuesi i ri përcakton lejimin e përfaqësuesit të medias që të raportojë përmes mesazheve telefonike ose kompjuterike, pasi më parë të ketë siguruar autorizimin e kryetarit të seancës. Po ashtu, përcaktohet se seancat gjyqësore mund të regjistrohen dhe transmetohen në media, me kërkesë të mediave ose me nismën e kryesuesit të trupit gjykues. Por, kur seanca gjyqësore regjistrohet me kamera nga vetë gjykata, kamerat e medias elektronike nuk lejohen të filmojnë pasi shpërndahen pamjet flimike ose regjistrimet audio të seancës nga gjykata, ose lejohet transmetimi i plotë nga një mjedis i posaçëm jashtë sallës së gjyqit./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article