Tryeza e diskutimeve Kosovë-Serbi, Kurti nis takimin me diplomatët evropianë

1 year ago 24
Reklamë

Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka njoftuar setakimi i diplomatëve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, me Vuçiç ka mbaruar, ndërsa në zhvillim e sipër është takimi i tyre me Kurtin.

Takimi trepalësh, sipas njoftimit, do të fillojë nga ora 11:00 dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiç në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 neneparasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre.

Përballje në kohë tensionesh

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.

Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme – më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur./REL/

Read Entire Article