Roja bregdetare e Algjerisë raportohet se ka qëlluar sot për vdekje dy turistë që po pushonin në Marokun fqinjë, të cilët kishin kaluar në ujërat algjeriane, teksa shëtisnin me motorë uji.
Viktimat besohet se ishin mes katër qytetarëve franko-marokenë që po pushonin në rezortin maroken të Saidia.
Një anëtar i tretë i grupit u arrestua nga roja bregdetare që patrullonte kufirin e mbyllur mes dy shteteve.
Dy kombet kanë një histori tensionesh, të lidhura me pretendimet e Marokut për rajone të kontestuara të Saharasë Perëndimore.
Kufiri mes dy vendeve është mbyllur në 1994 pas nje sulmi terrorist ne Marok, ndërsa dy vjet më vonë marrëdhëniet u ndërprenë plotësisht, fillimisht nga Algjeria që akuzonte Marokun për veprime armiqësore, akuza që janë refuzuar nga Rabati.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar zemërim në Marok pasi një peshkatar publikoi në rrjet pamje të një trupi të pajetë që pluskonte në sipërfaqen e detit.
Mohamed Kissi ishte i vetmi nga katërshja që arriti të kthehej në Marok, njofton rrjeti francez AFP, duke cituar mediat marokene.
“Ne humbëm orientimin derisa e gjetën veten në ujërat e Algjerisë”, tha Kissi, vëllai i të cilit Bilal humbi jetën në incident. Ai tha se grupit i ishte mbaruar karburanti në motorët e ujit.
“Ne e dinim që kishin hyrë në Algjeri pasi një barkë e zezë algjeriane po vinte drejt nesh, dhe ata që ishin në bord nisën të qëllonin ndaj nesh”, tha ai.
“Unë shpëtova por ata vranë vëllanë tim dhe shokun tim”, shtoi ai.
Kissi mohonte akuzat se grupi kishin tentuar të largoheshin kur u zbuluan nga roja bregdetare, duke shtuar se vëllai i tij kishte tentuar të komunikonte para se të qëllohej.
“Ata më pas më arrestuan mua dhe shokun tjetër, i cili gjithashtu ishte plagosur nga një plumb”.
Kissi tha më tej se ishte përpjekur të notonte drejt Saidia dhe më pas ishte marrë nga roja bregdetare marokene.
Kushëriri i tij, aktori maroken Abdelkarim Kissi, u bënte thirrje autoriteteve ta çonin çështjen në gjykatat ndërkombëtare.
“Ata vranë kushëririn tim të vogël Bilal Kissi. Gabimii tij i vetëm ishte se hyri në ujërat territoriale algjeriane teksa ishte me pushime me miqtë,” shkruante ai në rrjetet sociale.
Abdelali Merchouer ishte viktima tjetër e vrarë, trupi i të cilit është ende në Algjeri, sipas mediave.
Zyrtarët në të dy vendet nuk janë shprehur ende për ngjarjen.
Dy vendet kanë një kufi prej rreth 2,000km që ka qenë shpesh objekt tensionesh që prej pavarësisë së tyre nga regjimi kolonial francez.
Kufiri është mbyllur në 1994 për arsye sigurie kur militantë islamistë goditën një hotel në qytetin historik maroken të Marrakesh.
Top Channel