“Turpshëm e rrugaçërisht…!”, veprimtari nga Gjermania ‘shpërthen’ ndaj kundërshtarëve të Kurtit – flet për hapjen e urës së Ibrit!

1 month ago 8
Reklamë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po insiston në hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s.

Gjatë një takimi në Prishtinë, Kurti ua paraqiti përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër, njoftoi Zyra e tij në një komunikatë për media.

“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftim.

Kurse, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me Kurtin se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

E në lidhje me debatin për hapjen e urës së Ibirit, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli veprimtari shqiptar nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Fillimisht, ai u shpreh se qeveria Kurti po merr veprime që ndihmojnë në shtrirjen e sovranitetit në veri, pavarësisht se opozita po i konsideron elektorale, ato janë të domosdoshme.

Sipas tij, edhe çështja e hapjes së urës së Ibirit nuk ka të bëj më zgjedhjet e reja, siç po pretendojnë opozita e shteti serb.

“Të gjitha veprimet që ndërmerr Qeveria, për shtrirjen e sovranitetit të munguar në veriun e Kosovës, opozita PAN-iste, në aleancë me Serbinë, i konsideron populiste, elektorale. Qeveria e filloi me reciprocitetin në kalimet kufitare me Serbinë, e vazhdoi me heqjen nga qarkullimi të targave ilegale të Serbisë, të cilat këlyshëria shqipfolëse, në shërbim të Serbisë i quante "teneqe", e deri ke ndalimi i dinarit serb nga Qeveria. Të gjitha këto veprime ishin dhe janë në funksion të sovranitetit shtetëror.

Tashmë i erdhi radha aktualizimit të hapjes të Urës së Ibrit. Dhe, kjo nuk ka të bëjë fare me afrimin e zgjedhjeve, siç thotë Serbia me argatët e saj, respektivisht, eksponentëve të partive-banda të opozitës: PDK, AAK, NISMA dhe mediat e tyre. Është zhurmuar, turpshëm e rrugaçërisht, se, gjoja, Qeveria po shpërfillë BE-në me aleatë, në marrjen e vendimeve, për ta kthyer sovranitetin e dorëzuar Serbisë në veriun e Kosovës, nga pushtetarët e shantazhuar”.

Image

Idriz Zeqiraj.

Krahas kësaj, Zeqiraj ‘shëprtheu’ me kritika ndaj ish-pushtetarëve, ku përmendi edhe disa agjentë dhe dosje kriminale për vrasjet e kundërshtarëve politik në Kosovë.

“Ish- shtetarët dhe pushtetarët e dhunshëm të Kosovës, agjentë, tashmë, të denoncuar, me emër dhe mbiemër, nga kryeshefi i Shërbimit Informativ të Francës, Pierre Seramy se "X-Y është agjent i yni, respektivisht, edhe i Serbisë, përmes agjentit të DGSE, Danjean Arnaud, dhëndërr i Serbisë, i shantazhuar me dosjet kriminale, përkatësisht, vrasësit serial të kundërshtarëve politik shqiptarë, gjatë dhe pas luftës, në Shqipëri dhe Kosovë". Kjo po dëshmohet, madje katërcipërisht, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë”.

Në vazhdim publicisti potencoi se qeveria Kurti me të drejtë i kërkoi ndërkombëtarëve largimin e barrikadës në urën e Ibrit, pasi këta të fundit kishin premtuar në të kaluarën se do ta bënin një gjë të tillë, por që në të vërtetë nuk e kanë bërë.

Ai kritikoi ashpër edhe Lajçakun dhe qasjen e tij ndaj këtij vendimi të Kosovës, ku tha se çështja e urës duhet të shkojë në dialog.

Sipas tij, kjo qasje e emisarit sllovak i gëzoi “argatët e Serbisë dhe PAN-in kriminal”.

"Qeveria e Kosovës i kërkoi faktorit ndërkombëtar, ta heq barrikadën në Urën e Ibrit, sepse premtimi, zotimi publik ka qenë se "hapja e Urës për mjetet motorrike, do të bëhet sapo të përfundojë ndërtimi i saj". Premtuesit në fjalë, gënjyen dhe zhgënjyen - njëherësh, sepse pushtetarët e shantazhuar as që guxonin ta përmendnin, me shpresën se në këmbim të heshtjes, do të amnistoheshin për krimet faktike, tashmë, të bëra.

Kërkesës publike të Qeverisë Kurti, iu përgjigj Mirosllav Lajçak se "hapja e Urës së Ibrit do të shkojë përmes dialogut në Bruksel!" Ishte një përgjigje, sa e poshtër, aq edhe cinike, e cila provokoi dhe irritoi shqiptarët e përbotshëm. Por, argatët e Serbisë, brenda PAN-it kriminal, i gëzoi, njësoj sikur edhe Serbinë e Moskën, me shpresën se po afrohet goditja e Albin Kurtit, qoftë edhe me një ndëshkim - non grata -, njësoj si të liderit nacionalist, Prof. Dr. Sali Berisha.

Kur Peter Stano kishte shefe gjermanen Angela Merkel, ishte realist dhe racional në deklarimet për Kosovën. Por, tani, si zëdhënës i BE-së, me shef sllovakun Mirosllav Lajçak, është jo vetëm irracional, por edhe i gatshëm me shkretuar pak më shumë se shefi i tij, kur bëhet fjalë për Kosovën: "Hapja e Urës së Ibrit është çështje e marrëveshjes së Brukselit dhe kurrsesi nuk mund të hapet ndryshe, njëanshëm!"”

 Më tej, Zeqiraj komentoi deklaratat e Kurtit e Osmanit për këtë çështje.

Ku me që rast, potencoi se kur krerët e shtetit janë pro mbrojtjes së sovranitetit, pse opozitarët po pozicionohen ndryshe, kjo sipas tij dëshmon se opozita PAN-iste.

”Kundër mendësisë prepotente, mujëshore dhe thellësisht alogjike të Peter Stano, të BE-së-Quintit dhe të bashkëmendimtarëve të tyre, ka reaguar, mençurisht e dinjitetshëm, presidentja Vjosë Osmani, si shtetare unike në mbrojtje të sovranitetit kombëtar:

"Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetueshmërisë në vendin tonë. Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës".

 I një mendje me Presidenten Osmani është edhe kryeministri Albin Kurti:

"... Andaj Ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi".

Dhe, kur krerët e shtetit dhe të pushtetit deklarohen, hapur dhe përmbajtësish, në mbrojtje të integritetit dhe të sovranitetit, atëherë pse krerët horrakë të PAN-it, me lukuninë e tyre partiake pozicionohen ndryshe, bëhen argatë dhe aleatë të Serbisë, duke bartur sovranitetin e Kosovës në dialogun e Brukselit, rrjedhimisht, bëhen palë me Serbinë, për ta bartur sovranitetin, jo vetëm të Urës së Ibrit, por edhe veriun e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Kjo dëshmon se opozita PAN-iste, respektivisht, eksponentët numerikë të saj, janë të shantazhuar me dosje të krimeve vrastare e hajnore, madje jo vetëm ata që aktualisht përballën meritueshëm në Gjykatën e Hagës. Por është edhe një armatë e tërë kriminelësh, që bredhin e lehin, shpengueshëm e zëshëm, jo vetëm rrugëve të Kosovës dhe të botës, por edhe në Parlamentin e Kosovës”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Read Entire Article