U caktua edhe data e zgjedhjeve të reja, analistët komentojnë vendimin e fundit të Osmanit – ja mesazhi për partitë politike

1 month ago 9
Reklamë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi të premten mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 9 shkurtin të vitit të ardhshëm, duke bërë kësisoj qeverinë aktuale, të parën në vend që çon mandatin e saj deri në fund.

Shpallja e datës së zgjedhjeve erdhi pas takimit dhe konsultimit me liderët e partive politike që kishin propozuar që ato të mbaheshin me 26 janar ose në fillim të muajit shkurt.

Presidenca e Kosovës tha se “data 9 shkurt të vitit 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira. Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”.

Sipas ligjit zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të parlamentit. Legjislatura aktuale u mblodh me 22 mars të vitit 2021.

E në lidhje me datën e zgjedhjeve të reja parlamentare, kanë folur njohësit e çështjeve politike.

Elezaj: Mendoj se caktimi i datës së zgjedhjeve nga ana e presidentes Osmani, e hapë padyshim, mundësinë ligjore që partitë politike të fillojnë me mobilizimin e tyre politik

E në lidhje me këtë vendim të Osmanit për datën e zgjedhjeve, ka folur opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”.

Image

Rexhep Elezaj

Fillimisht, ai tha se presidentja e ka kryer një obligim kushtetues nga kompetencat e saj.

“Presidentja Dr. Vjosa Osmani, me caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, duke caktuar 9 shkurtin 2025, ditën për mbajtjen e zgjedhjeve, ka kryer një obligim kushtetues nga kompetencat e saj, si organi numër një i vendit, duke respektuar afatin ligjor për caktimin e datës, gjashtë muaj para mbajtjes së tyre, i paraparë me ligjin zgjedhor të Kosovës”, u shpreh ai.

Po ashtu, Elezaj vlerësoi se kjo datë është përzgjedhur, pas konsultimit me liderët e partive politike, ku edhe ata janë shprehur të gatshëm për zgjedhje.

“Ndërsa, përzgjedhja e kësaj date, pas konsultimit paraprak me krerët e partive politike dhe parlamentare, shpërfaq pajtimin dhe gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, pa ndonjë kundërshtim dhe mospajtim për datën, si dhe për afatin e paraparë ligjor, e që është kusht themelor për mbarëvajtjen e tyre, por edhe për t’i bërë përgatitjet e duhura për fushatë zgjedhore, gjë që me këtë akt i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si vlerë dhe standard demokratik për mbajtjen e tyre”

Ndër të tjera, opnionisti gjatë kësaj periudhe deri te hapja e fushatës zgjedhore partitë politike do të tentojnë të përdorin çdo mjet dhe mundësi teknike për të bërë garë.

Në këtë pikë, ai beson se partitë do fillojnë me fushatën e tyre “joligjore”, para fushatës zyrtare zgjedhore.

“Mendoj se caktimi i datës së zgjedhjeve nga ana e presidentes Osmani, e hapë padyshim, mundësinë ligjore që partitë politike të fillojnë me mobilizimin e tyre politik si dhe përgatitjet për fushatë të rregullt zgjedhore, e cila zyrtarisht nuk mund të fillojë menjëherë, veçse një muaj para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, afat ky i përcaktuar me ligjin zgjedhor, ku përveç përgatitjeve teknike, partitë politike nuk mund ta fillojnë asnjë lloj fushate, duke marrë parasysh faktin, se gara politike për pushtet nuk gjatë më shumë se një muaj. Ani se, gjatë kësaj periudhe partitë politike tentojnë të përdorin çdo mjet dhe mundësi teknike për të bërë garë, sidomos duke i (keq)përdorë mjetet informative, rrjetet sociale si dhe çdo takim të mundshëm për ta plasuar tek votuesit e tyre, dhe jo vetëm, programin dhe vizionin e tyre qeverisës, duke mos e kaluar vijën e kuqe ligjore të bërjes fushatë zgjedhore jashtë kornizës ligjore.

Pra, si zakonisht partitë garuese për zgjedhjet e ardhshme, 9 shkurt 2025, do fillojnë me fushatën e tyre “joligjore”, për t’u përgatitur sa më mirë që në fushatën njëmujore para mbajtjes së zgjedhjeve, të fitojnë sa më shumë vota nga populli dhe gjithë votuesit e Kosovës”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Xani: Partive politike, para se të merren me data, ju mbetet realisht të koncentrohen në zgjedhje

Kurse, analisti politik, Visar Xani tha se data e caktuar për zgjedhje është e bazuar në bazë të Kushtetutës.

Image

Visar Xani

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se kjo datë nuk është diçka negative, pasi është përafërsisht e ngjashme me atë që kanë kërkuar partitë politike.

“Data e zgjedhjeve është datëa e caktuar sipas Kushtetutës, që i jep mandat Presidentes së Kosovës.

Me gjasë, përafërsisht aty janë edhe partitë politike, data që ata kanë kërkuar është përafërsisht e ngjashme. Për dallim, çështje ditësh ose javësh, gjë që nuk konsideroj që jep ndonjë veti negative kësaj date”.

Po ashtu, tha se partitë politike nuk duhet të merren me datën, por që të koncentrohen të bëjnë fushatë të drejtë dhe të mirë për qytetarët.

“Ndërsa, partive politike, para se të merren me data, ju mbetet realisht të koncentrohen në zgjedhje, të bëjnë një fushatë të pastër, një fushatë për të mirën e qytetarëve dhe të bëjnë propozime që i zgjidhin shumë probleme qytetarëve, për shkak që Kosova ballafaqohet jashtëzakonisht shumë me probleme. Prandaj, duhet partitë politike të kenë një platformë serioze, korrekte dhe të qartë”, përmbylli Visar Xani për “Bota sot”.

Read Entire Article