U mbyll “damari i Gazpromit rus”, vijnë reagimet: Ja pse përmendet Isa Mustafa për rastin e kompanisë “NIS”

2 months ago 13
Reklamë

Dalëngadalë po mbrohet sovraniteti i Kosovës edhe në komunat në veri të Kosovës dhe këto veprime duhen përshëndetur nga ndërkombëtarët, thonë analistët politikë pas mbylljes së pikave të karburantit në veri të Kosovës

Tri pompa të benzinës janë mbyllur të martën në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka thënë se i kanë asistuar Agjencisë Kosovare për Privatizim për të verifikuar disa prona, ndërsa kjo e fundit ka sqaruar se bëhej fjalë për prona të tyre që ishin lëshuar me qira, por që sipas tyre nuk ishin të pajisura me licencë nga MINT dhe dy prej tyre nuk ishin as të fiskalizuara.

Pompat janë mbyllur një në Mitrovicë të Veriut, një në Zubin Potok dhe një në Ujman dhe për këtë ka reaguar edhe ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se pompat e mbyllura “Nis Petrol” janë damar i Gazpromit rus dhe se nuk ka vend në Kosovë.

Sipas tij, keqpërdoruesit do të përballen me ligjin dhe epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon.

"Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si 'Nis Petrol'’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës", ka shkruar Sveçla.

“Përpjekje për të shtrirë ndikimin e Rusisë në Kosovë e rajon”

Analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se Qeveria e Kosovës mbron kushtetutën e saj ndaj pompave të derivateve terroristësh serbë që sulmojnë në mënyrë perfide veriun e Kosovës.

Sipas tij, sovraniteti i Kosovës po mbrohet në çdo cep të veriut.

“Dalëngadalë e me hapa të sigurta qeveria e Albin Kurti është duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës në çdo cep të veriut, kjo vërehet që nga letërnjoftimet, targat serbe, deklasimit të terroristëve serbë në Banjskë, mbylljen e bankës serbe në veri e deri te mbyllja e tri pompave të derivate serbe në komunat në veri të vendit. Nëse për Vuçiqin e Serbisë dhe një pjesë të ndërkombëtarëve mbrojtja e sovranitetit të Kosovës konsiderohet si aksione të pamatura, gabim e kanë, pasi qeveria e Kosovës as më pak e as më shumë mbron kushtetutën e saj ndaj pompave derivatesh terroriste serbe që sulmojnë në mënyre perfide veriun e Kosovës”, deklaron Mehazi.

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri thotë se duke parë punën pa licencë të pikave të karburantit nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përveç ndjekjes së rrugës ligjore dhe mbylljes së tyre.
Image

Gani Qarri

Sipas tij, pikat kanë mbajtur edhe logon e kompanisë serbe edhe pse funksiononin në brendësi të Kosovës.

“Sipas komunikatës së AKP-së, të lëshuar për informim të opinionit publik, pikat e karburantit në veri të Mitrovicës dhe Zubin Potok, përveçse kanë punuar, për shumë vite, pa licencë, dy prej pikave, doli të mos kenë qenë fare, as të fiskalizuara, ndaj dhe as që kishte rrugëdalje tjetër përveç ndjekjes së rrugës ligjore dhe mbylljes së tyre, deri në plotësimin e kushteve, regjistrimin në organet kompetente të shtetit tonë dhe licencimin sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, sikur mos të mjaftonte që këto pika ilegale të karburantit, mbanin logon e kompanisë serbe (NIS- "naftna industria serbije"), dhe megjithëse funksiononin në brendësi të territorit të vendit tonë, vetëm ishin kamufluar, se kinse janë në pronësi të kuazi "biznesmenëve" serb të veriut, ato, në fakt u dëshmua se ishin në pronësi ruse dhe furnizoheshin nga Gazpromi rus, duke thyer publikisht edhe sanksionet ndërkombëtare, të vendosura nga BE dhe SHBA kundër Rusisë!”, shprehet Qarri.

Sipas tij, hapja e kompanisë së naftës “NIS” në veri të Mitrovicës është cilësuar edhe në vitin 2016 përpjekje për të shtrirë ndikimin e Rusisë në Kosovë e rajon.

 “Madje kompania serbe “NIS” ishte hapur me lejen e qeverisë së Isa Mustafës, qysh më 2016, nga i ashtuquajturi “drejtor i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e cila jo vetëm se nuk ishte regjistruar në vendin tonë, por edhe punonte pa licencë, kurse pronarja kryesore, qysh atëherë ishte Gazprom Neft, e Rusisë, që përdorte vetëm si ombrellë, kompaninë serbe "NIS" dhe shtetin e Serbisë. Pra furnizuesi dhe pronari i vërtetë u dëshmua të jetë Gazprom Neft, që është edhe prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi, ndërsa hapja më 2016 e kompanisë serbe të naftës “NIS” në veri të Mitrovicës, ishte cilësuar qysh atëherë si përpjekje për të shtrirë ndikimin e Rusisë në Kosovë dhe rajon, por që megjithatë, nga qeveritë e më parme të inkriminuara edhe përkundër të gjithave, çuditërisht nuk u ndalua asnjëherë”, pohon analisti.

Ai mbylljen e pompave e konsideron rrugë të arsyeshme dhe ligjore, gjersa shton se kjo rrugë është edhe obligim ndërkombëtar për solidarizim me vendet e BE-së.

 “Andaj duke pasur parasysh faktin se Rusia, ka me tepër se dy vite që është nën sanksionet e SHBA-ve, të BE-së dhe vendeve perëndimore, mbyllja e tri pikave të derivateve në komunat veriore, jo vetëm që ishte e arsyeshme dhe plotësisht e drejtë ligjërisht, por edhe obligim ndërkombëtar, për solidarizimin me vendet e BE-së, dhe mbështetjen e sanksioneve ndërkombëtare, të vendosura nga SHBA dhe BE, kundër Rusisë. Sanksione të cilat duke qenë se Serbia nuk u është bashkuar asnjëherë masave të SHBA-ve dhe BE-së, Vuçiq keqpërdorte lirshëm dhe në mënyrën më brutale edhe territorin e Kosovës, për shkeljen e sanksioneve kundër Rusisë, akt të cilin do duhej ta dënonte edhe BE dhe SHBA”, shton Qarri.

Aksionet dhe veprimet e ndërmarra në veri të Kosovës nga qeveria e Kosovës jo rrallëherë është kritikuar apo kundërshtuar nga ndërkombëtarët, ritheksojmë këtu shpronësimin e pronave në veri, mos përdorimi i dinarit, por edhe çështja e hapjes së Urës së Ibrit.

Kërkohet mbështetje ndërkombëtare për Qeverinë

Image

Sulejman Mehazi

Analistët politikë thonë se ndërkombëtarët duhet ta përkrahin qeverinë e Kosovës për aksione të tilla.

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se ndërkombëtarët duhet ta përkrahin qeverinë e Kosovës për punën e mrekullueshme në veri të vendit.

Sipas tij, nëse për ata Kosova është e pavarur dhe sovrane, atëherë duhet të jetë e plotë që nga lindja, perëndimi, jugu e veriu dhe kurrsesi e pjesërishme.

 “Ndërkombëtarët në vend që të përkrahin qeverinë e Kosovës që në mënyrë të mrekullueshme është duke vendosur rendin kushtetues në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ata bëjnë të kundërtën fajësojnë qeverinë e Kosovës vetëm pse mbrohet sovraniteti nga hienat ekonomike kriminale serbe në veri të Kosovës. Pse ndërkombëtarët e "mençur e të drejtë" nuk reaguan ashpër ndaj sulmeve terroristë serbe në Banjskë, por reagojnë çdoherë ndaj veprimeve të drejta të qeverisë së Kosovës në veri të vendit? Nëse për ndërkombëtarët Kosova është e pavarur dhe sovrane atëherë duhet të jete e plotë që nga lindja, perëndimi, jugu e deri në veri, e kurrsesi e pjesërishme”, thekson Mehazi.

Ndërsa, sipas analistit politik Gani Qarri, vendosja e rendit në komunat veriore duhet të përshëndetet.

Ai shton se nëse duan ta sanksionojnë seriozisht Rusinë, atëherë mbyllja e këtyre pikave ilegale të karburantit ka të bëjë pikërisht me luftimin e kontrabandës dhe shkeljen flagrante nga Serbia, të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.

 “Andaj edhe pse aksionet ligjore në veri të Kosovës, shpesh herë janë kritikuar, pa arsye nga ndërkombëtarët, kësaj radhe vendosja e rendit në komunat veriore, duhet të përshëndetet e mbështetet fort dhe sinqerisht edhe nga vet ndërkombëtarët, nëse vërtetë kanë vendosur ta sanksionojnë seriozisht Rusinë, ngase edhe mbyllja e këtyre pikave ilegale të karburantit, ka të bëjë, pikërisht me luftimin e kontrabandës dhe shkeljen flagrante nga Serbia, të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë. Shkelje, e cila zhvillohej lirshëm dhe pa asnjë pengesë, para syve të KFOR-it dhe EULEX-it, në brendësi të vendit tonë, duke lejuar pa asnjë pengesë, keqpërdorimin brutal nga Serbia edhe të territorit të Kosovës, për ti thyer publikisht vendimet ndërkombëtare, të sanksionimit të Rusisë, për çka KFOR-i dhe EULEX-i, duhet të dalin me sqarime të veçanta, për arsyen e lejimit të Serbisë, nga vet ata, që të shfrytëzonte veriun e vendit tonë, për thyerjen para syve të tyre, të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë, duke keqpërdorur brutalisht edhe territorin e Kosovës!”, përfundon analisti.

Pompat e benzinës të mbyllura, sipas disa raportimeve në media kanë qenë të kryekriminelit Milan Radoiçiq.

Një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga institucionet e shtetit, vetëm se  zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i në një mënyrë e konfirmoi pasi shpërndau një lajm me titullin “I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit”.

Read Entire Article