U planifikua të hapet në vitin 2017, pse BE nuk lejon hapjen e Urës së Ibrit, flasin analistët

1 month ago 10
Reklamë

“Ura do të hapet për të gjithë trafikun më 20 janar 2017”, kështu thuhej në dokumentin e publikuar nga Bashkimi Evropian në uebfaqen zyrtare, pas diskutimeve të gjëra të 2 gushtit të vitit 2015, në atë kohë nga ministrja për dialog Edita Tahiri dhe kryenegociatori Marko Gjuriq.

Sipas dakordimit të dyja vendet ishin rënë dakord për detajet e fundit të mbetura për zbatimin e kësaj marrëveshjeje të dialogut.

Në dokumentin e titulluar “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, zbatimi i marrëveshjes për Urën e Mitrovcës thuhej se është në horizont dhe ajo “do të bëhet simboli i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera“.

Tutje theksohet se rivitalizimi i urës, si dhe i rrugës Mbreti Petar, do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë njerëzve të Mitrovicës Veriore dhe Jugore dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim.

“U ra dakord që do të lëshohet leja e mbetur e ndërtimit dhe se rivitalizimi i urës së Mitrovicës dhe rrethinës së saj do të fillojë më 14 gusht 2016. Ura e Mitrovicës do të hapet për këmbësorët dhe automjetet në të dy drejtimet në përputhje me rekomandimet e vlerësimi teknik dhe dizajni arkitektonik ranë dakord të dyja palët në qershor 2015″.

“Punimet e ndërtimit të urës do të kryhen duke hyrë në kantier përmes rrugës hyrëse jugore. Ura do të hapet për të gjithë trafikun më 20 janar 2017“.

Po ashtu, në atë kohë ishte planifikuar që një grup pune do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht së bashku me të dy kryetarët e komunave kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit.

“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i në përputhje me mandatet e tyre përkatëse do të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të sigurt. Ata do të konsultohen për masat e duhura të sigurisë, duke përfshirë edhe dy kryebashkiakët”, thuhet në dokument.

Por, pas gjithë kësaj gjendja ka ndryshuar shumë ndër vite dhe tani me insistimin dhe përgatitjet e qeverisë për hapjen e Urës, Bashkimi Evropian dhe SHBA kërkojnë mos hapjen e saj në këto momente.

Zogaj: Çështja e Urës së Ibrit është problem që Serbia ka arritur ta sajojë në saje të gabimeve në vazhdimësi të Kosovës

Analisti politik, Skënder Zogaj thotë se Kosova ka ndjekur një rrugë tjetër krejtësisht të gabuar, atë të "ngacmimeve" dhe provokimeve, të cilat e kanë faktorizuar Serbinë.

“Çështja e Urës së Ibrit është problem që Serbia ka arritur ta sajojë në saje të gabimeve në vazhdimësi të Kosovës, e cila në vend se të mobilizohej për të funksionuar si shtet në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar, duke i caktuar përgjegjësitë dhe kryrësitë e përgjegjësive, sidomos në mbrojtjen e sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës! Por, Kosova ka ndjekur një rrugë tjetër krejtësisht të gabuar, atë të "ngacmimeve" dhe provokimeve, të cilat e kanë faktorizuar Serbinë. Politika kosovare ka qenë joserioze dhe në çastet më të ndjeshme ka shprehur reagime të rastit, që nuk kanë qenë adekuate për kërkim zgjidhje të vërtetë dhe të adekuate të problemit, por reagimet kanë qenë në të shumtën e rasteve për konsum të brendshëm elektoral! Fakti se për Veriun janë ngritur tensione në periudhat elektorale, është sjellje e shëmtuar, sepse, jemi dëshmitarë se e ka dëmtuar rëndë dhe po i qëndron peshë në shpinë shtetësisë, lirinë dhe pavarësinë së Kosovës!”, shprehet Zogaj.

Image

Skënder Zogaj

Pa miratimin e BE-së dhe SHBA-së, sipas Zogajt, Ura e Ibrit nuk gjen zgjidhjen e duhur.

“Deshëm ose jo, Ura e Ibrit nuk e gjen zgjidhje e duhur, të plotë dhe të leverdishme për Kosovën, pa miratimin e BE-s dhe të SHBA-ve. Kjo nuk ka asnjë dilemë. Këtë duhet ta shohim nga ky prizëm shumë më i thellë sepse, më problemin e Urës së Ibrit, Serbia po e mban peng problemin e vërtetë që është sovraniteti territorial dhe Merreni me mend, problemi territorial dhe siguria në hapësirën tokësore të tri komunave serbe, që është bartur te URA! te një urë e cila e mbyllur i mbanë të getoizuar serbët e jo shqiptarët, e cënën interesin e serbëve e jo të shqiptarëve...”, pohon analisti.

Pos patriotizmit banal, sipas Zogajt, serbët nga ura nuk kanë asnjë përfitim.

Tutje, ai shton se gjersa merren me thashetheme, intriga e barsoleta, Ura e Ibrit do të mbetet "Thembër e Akilit".

 “Pra, pos patriotizmit banal serbët nga ura nuk kanë asnjëlloj përfitimi! Por ky përfitim ka qenë i madh sepse e ja mbajtur peng Kosovën qe 24 vjet! Kjo situatë them se duhet të kuptohet dhe Kosova të bashkëveproj me faktorin ndërkombëtar dhe të gjej zgjidhjen. Kjo dhe vetëm kjo është mënyra e veprimit. BE-ja me të drejtë po e kërkon zgjidhjen në Bruksel! Çdo lloj paragjykimi për planifikimet e panjohura të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se janë gabim. Këtë e tregon fakti se, Ura, është dashur të hapet më 2017, por nuk është hapur, gjë që mund të vazhdojë të mos hapet.. për shkak të dëshirës për t'u marrë me thashetheme! Dhe, derisa të merremi me thashetheme, intriga e barsoleta, Ura e Ibrit do të mbetet "Thembër e Akilit"!”, shton Zogaj.

Duhanaj: Të punohet në mënyrë të qetë me shtetet e QUINT-it

Ndërsa, analisti Leon Duhanaj thotë se ura duhet të hapet, por fillimisht duhen qartësuar dy gjëra..

“Që ura duhet të hapet dhe se do të hapët, në ketë nuk dyshon askush. Megjithatë në ketë rast duket se duhet qartësuar dy gjera: 1. Nëse vërtetë synohet hapja e urës, atëherë kjo punë duhet bëhet krejtësisht ndryshe. Të punohet në mënyrë të qetë me shtetet e QUINT-it, të planifikohet bashkë me ta, në mënyrë që kur të ndodhë hapja, edhe të qëndroj. Si shembull mund ta marrim shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 2. Nëse hapja e urës është temë veç për propagandë dhe për rikthim në "status quo", atëherë e zgjedh rrugën të cilën po e zbaton Kryeministri Kurti. Shembull për ketë e kemi ndër të tjera edhe marrëveshjen e targave”, pohon Duhanaj.

Image

Leon Duhanaj

Ai mendon se kryeministri Kurti nuk e ka ndërmend ta bëjë hapjen e urës, gjersa shton se rezultat i kësaj qasje do të jetë rikthimi i temës së urës në tavolinën negociuese dhe degradimi i mëtejshëm i shtetësisë së Kosovës.

“Pra, kryeministri Kurti, nuk e ka ndërmend hapjen e urës, sa e ka qëllimin për të krijuar ndonjë situatë më të cilën mund t'i ushqej egot e veta personale dhe të përkrahësve të tij. Rezultat i kësaj qasje do të jetë rikthimi i temës së urës në tavolinën negociuese dhe degradimi i mëtejshëm i shtetësisë së Kosovës. Në anët tjetër përmes propagandës në opinion, synohet që pjesa opozitare dhe të tjerët të cilët thërrasin për kujdes dhe koordinim, tenton t'i paraqes si kundërshtarë të hapjes së urës. I gjithë qëllimi është me e shfrytëzuar si ngjarje për konsum të brendshëm, kur dihet se jemi në prag të zgjedhje dhe kjo bëhet ekskluzivisht për fushatë”, përfundon Duhanaj.

Read Entire Article