Uashingtoni i bën thirrje Izraelit të zvogëlojë shkallën e ofensivës në Gazë

10 months ago 13

Uashingtoni po i kërkon Izraelit të përqëndrohet në sulmet precize ndaj udhëheqësve të Hamasit në Gazë, në vend të bombardimeve në shkallë të gjerë dhe operacioneve tokësore, tha të premten këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

“Do të ketë një tranzicion në një fazë tjetër të kësaj lufte, që do të përqëndrohet në sulme më precize ndaj udhëheqjes (së Hamasit) dhe në operacionet e zbulimit”, u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në Izrael.

“Çështja se kur do të ndodhë saktësisht kjo dhe në çfarë kushte do të jetë pjesë e diskutimeve intensive midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”, tha zoti Sullivan. “Kushtet dhe koha për këtë ishte padyshim një temë e bisedave që pata” me kryeministrin Benjamin Netanyahu, udhëheqës të tjerë të qeverisë izraelite dhe komandantë ushtarakë.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi të premten se gabimisht vrau tre pengje izraelite gjatë operacionit të saj tokësor në Rripin e Gazës. Zëdhënësi i ushtrisë, kundëradmirali Daniel Hagari, tha se trupat izraelite i gjetën pengjet të premten dhe i identifikuan gabimisht si kërcënim ndaj tyre.

Ai tha se nuk ishte e qartë nëse ata u kishin shpëtuar militantëve apo ishin braktisur. Vdekja e tyre ndodhi në zonën e qytetit të Gazës në Shijaiyah, e cila ka qenë skenë e betejave të përgjakshme kundër militantëve të Hamasit. Ai tha se ushtria shprehu “dhimbje të thellë” dhe po heton ngjarjen.

Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha para zotit Sullivan të enjten se do të duhen “më shumë se disa muaj” për të shkatërruar Hamasin, që sipas tij, ka ndërtuar infrastrukturën e tij “nën tokë dhe mbi tokë” në Gazë për më shumë se një dekadë.

“Por ne do të fitojmë dhe do t’i shkatërrojmë ata”, tha zoti Gallant.

Këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan nuk pranoi të përgjigjej kur u pyet të premten nëse Shtetet e Bashkuara do të frenonin ndihmën ushtarake nëse Izraeli nuk pakëson numrin e viktimave në mesin e civilëve, duke thënë se mënyra më e mirë për të arritur një marrëveshje është përmes diskutimeve private.

Zoti Sullivan tha gjithashtu pas takimit me Kryeministrin Netanyahun dhe Ministrin e Mbrojtjes Gallant në Tel Aviv se përpjekjet e Izraelit për të shkatërruar Hamasin nuk duhet të çojnë në një pushtim afatgjatë izraelit të Rripit të Gazës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se nuk ka kuptim dhe nuk është e drejtë që Izraeli të ripushtojë Gazën për një afat të gjatë.

Deri më tani, Forcat Mbrojtëse të Izraelit i kanë rezistuar trysnisë në rritje globale për të frenuar ofensivën në Rripin e Gazës.

Lindja e Mesme është shndërruar në “fuçi baruti” që kur Hamasi i mbështetur nga Irani kreu një sulm terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë. Në përgjigje të këtij sulmi Izraeli filloi një operacion të madh ushtarak në Rripin e Gazës, duke shkatërruar pjesën më të madhe të brezit të ngushtë bregdetar gjatë dy muajve të fundit.

Sipas autoriteteve të Hamasit në Gazë, afro 19,000 njerëz janë vrarë përgjatë këtyre luftimeve. Mbi 100 Izraelitë deri më tani janë liruar nga Hamasi në këmbim të qindra palestinezëve që u liruan nga burgjet izraelite./VOA

Top Channel

Read Entire Article