Çështja e Asociacionit tash e një kohë është kthyer në një nga temat më të rëndësishme në vendin tonë dhe për ndërkombëtarët.
Trysnia për t’u pranuar Asociacioni nga ana e Kosovës po vazhdon të jetë prezente, e për këtë çështje së fundmi është deklaruar edhe kryeministri Kurti.
Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti tha se ai, megjithatë, kishte shprehur gatishmëri ta përpilonte vetë një draft-statut për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur pajtueshmëri për aneksin e Marrëveshjes Bazë.
“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, tha Kurti.
Ai tha se themelimi i një asociacioni nuk duhet të jetë i imponueshëm dhe se Kosova tashmë e ka një asociacion komunash, duke iu referuar Asociacionit të Komunave të Kosovës.
E të gjendur në këtë situatë dhe deklaratë a ishte kundërpërgjigjja e duhur nga Kurti për trysninë që në vazhdimësi po i bëhet?
Lahu: Kosova duhet të jetë e hapur, bashkëpunuese në procesin e ecjes para në integrimet europiane
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Vendenis Lahu.
Vendenis Lahu
Deputeti u shpreh se Kosova ka një marrëveshje bazë të Brukselit dhe një aneks të saj të Ohrit , e për të ecur para kryeministri ka ofruar vetën për hartimin e një drafti të tillë por që është refuzuar.
Sipas tij, Kosova është Republikë Parlamentare dhe se Kuvendi është ai që e vendos për proceset politike.
“Ne kemi një marrëveshje bazë të Brukselit dhe një aneks të saj të Ohrit të dakorduar, për të ecur para në dialog dhe për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes. Në kuadër të saj kryeministri ka ofruar vetën për hartimin e një drafti të tillë i cili është refuzuar. Kosova duhet të jetë e hapur, bashkëpunuese në procesin e ecjes para në integrimet evropiane, dhe në këtë frymë kanë qenë edhe oferta e kryeministrit ndaj BE-së. Në të njëjtën kohë është edhe e dijshme se Kosova është Republikë Parlamentare dhe se Kuvendi është ai që e vendos për proceset politike prandaj në këtë sens mendoj se duhet parë edhe deklarimin e kryeministrit për këtë çështje”, u shpreh ai.
Më tej Lahu thekson që qëndrimi i kryeministrit është i drejtë dhe korrekt.
“Po e përsërisë prapë se Kosova duhet të jetë konstruktive dhe kreative në kuptimin e gjetjes së zgjidhjeve për ecjen para dhe në të njëjtën kohë nuk mund të ketë ecje para kur Serbia tërhiqet nga marrëveshjet e dakorduara dhe se deklarohet që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës, prandaj mendoj se qëndrimi i kryeministrit është i drejtë dhe korrekt”, foli Lahu për “Bota sot”.
Haziri: Është më shumë lojë fjalësh e kryeministrit Kurti
Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë që asociacioni është pranuar nga kryeministri Kurti dhe duhet theksuar që pa të nuk mund të kemi integrim në BE.
Ndër të tjera Haziri përmend masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Nexhat Haziri
“Është më shumë lojë fjalësh e kryeministrit Kurti për ta hamendësuar sa më shumë opinionin vendor, sidomos tani kur po i afrohemi zgjedhjeve të 9 shkurtit. Asociacionin e komunave me shumicë serbe që më marrëveshjen e Brukselit dhe sekuencimin e saj në Ohër, kryeministri e ka pranuar, madje e ka ngritur në nivelin e vet menaxhimit që është përtej marrëveshjeve të 2013 dhe 2015, dhe tani del dhe tallet me qytetarët e vendit me qerren para kalit, e kalin pas qerres. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se asociacioni tashmë është kusht për përparimin e Kosovës në agjendën integruese të vendit në BE dhe në NATO, po ashtu është kusht edhe në pjesëmarrjen e Kosovës në fonde financiare siç është ai për mbështetje financiare që doli nga procesi i Berlinit dhe po ashtu për heqjen e masave ndëshkuese financiare nga BE- ja për Kosovën”, foli ai.
Në fund, analisti nënvizon që Kurti këto deklarata po i bënë për shkak të fushatës zgjedhore.
“Pra, po thuajse në baza ditore kërkesa për të proceduar me formimin e ASK-s, siç është hapi i parë dërgimi i statutit të tij në Gjykatën Kushtetuese bëhet nga Brukseli dhe Uashingtoni, nga partnerët tanë ndërkombëtar, dhe këtë e di mirë edhe z. Kurti. Andaj mashtrimet me lojë fjalësh do të mund të zgjasin vetëm gjatë kësaj fushate zgjedhore e cila ka filluar shumë herët, por ajo që është e rëndësishme dhe e vërtetë, kryeministri e ka pranuar formimin e AKS-së që tashmë është obligim i Kosovës dhe çdo vonesë në këtë proces do të ketë pasoja financiare e politike për vendin”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.