UDB-ashë nëpër institucione? Njohësit e drejtësisë flasin rreth ligjit të lustracionit/ Ja ku qëndron ‘problemi’

4 weeks ago 9
Reklamë

25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shteti ende nuk ka ligj të lustracionit ose i njohur ndryshe si i pastrimit të figurave.

Ligji i lustracionit shihet domosdoshmëri, sidomos javëve të fundit, ku tashmë ish- të burgosurit politikë të viteve të 80-ta po rrëfehen edhe publikisht për torturat dhe keqtrajtimet e tyre nga udbashët shqiptarë.

Ish- të burgosurit përmes emisionit “Debatplus”, kanë treguar me emra për torturuesit e tyre shqiptarë dhe njohësit e drejtësisë thonë se është i domosdoshëm një ligj i tillë.

Musa: Problemi qëndron tek pasardhësit

Avokati Skënder Musa, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se pa aprovimin e ligjit për lustracion nuk mund të ketë identifikim real të njerëzve që kanë punuar në kohën e UDB-së.

Image

Skender Musa

Sipas tij, me faktin që Kosova ka pasur autonomi, duhet të ketë dijeni se të gjitha strukturat politike LKJ-së në KSAK kanë pasur përgjegjësi.

 “Ligji për lustracion është i nevojshëm natyrisht sepse është e pa drejtë, që njerëzit që kanë kryer arrestime dhe kanë bërë keqtrajtime të tmerrshme të shqiptarëve të vazhdojnë të qëndrojnë komod dhe të arsyetohen se ka qenë koha. Pa aprovimin e ligjit nuk mund të kemi identifikim real të njerëzve që kanë punuar në atë kohë në UDB, sepse ato që po thuhen në RTV Dukagjini nga njerëzit që e kanë përjetuar dhunën dhe torturat fizike, janë vetëm disa që kanë kryer urdhrat. Por nuk janë edhe shefat e tyre të UDB -së si dhe udhëheqësit politikë të asaj kohe që kanë qenë mbikëqyrës të tyre dhe urdhërdhënës të tyre sepse Kosova ka pas autonomi. Me faktin se Kosova ka pas autonomi, duhet të jemi në dijeni se të gjitha strukturat politike LKJ-se në KSAK kanë pasur përgjegjësi”, deklaron Musa.

Tutje, sipas avokatit, problemi mund të qëndrojë edhe te personat  pasardhësit e tyre, që janë në pozita të larta shtetërore dhe që ndoshta pengojnë hartimin dhe aprovimin e ligjit.

 “Problemi qëndron se pasardhësit e tyre që kanë maltretuar, rrahur, pushkatuar shqiptarë sot mund të jenë të instaluar në pozita të larta shtetërore dhe ndoshta e pengojnë hartimin dhe aprovimin e këtij ligji. Por unë mendoj se ligji është i domosdoshëm dhe duhet kuvendi që ta nxjerrë ligjin”, shton Musa.

Ligjin e lustracionit e konsideronte të rëndësishëm edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Por sipas saj ky ligj duhet të ketë iniciativë edhe nga grupet e tjera parlamentare.

“Unë besoj që në rrethana të tilla lustracioni është një ligj i rëndësishëm në Republikën e Kosovës në kuptimin që kemi shumë individë të cilët konsiderojnë që janë të instaluar në institucione mirëpo që konsiderohet se kanë të kaluar të dyshimtë dhe do të ishte shumë e vlefshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës, deputetët e ndonjë grupi parlamentar, ose të gjitha grupet parlamentare, të ndërmerrnin një iniciativë të tillë. Në një nga legjislaturat e Kuvendit ka pasur një përpjekje të tillë për një ligj të lustracionit mirëpo për shkak të zgjedhjeve të reja dhe shpërndarjes së Kuvendit kjo u bë e pamundur, mirëpo Kuvendi në secilin moment ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë, komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht në agjendën tonë legjislative nuk është parapa një ligj i tillë pasi që nuk e kemi pasur zotim para qytetarëve të republikës së Kosovës”,  kishte thënë ministrja Haxhiu.

Gjersa, edhe pas dy vitesh deklarimi nga ana e ministres Haxhiu, ende nuk është bërë një ligj i tillë, avokati Adrian Bajraktari thotë se pas kësaj vere dilemat janë eleminuar sa i përket nevojës për lustracion.

Bajraktari: Ende ka zyrtarë nëpër institucione të rëndësishme shtetërore të cilët kanë qenë pjesë e sistemit të regjimit të kaluar

Image

Ardian Bajraktari

Bajraktari në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë të gjithë ata që i kanë shërbyer sistemit të kaluar, përfshirë edhe regjimit gjenocidal të Millosheviçiqt duhen konstatuar.

“Për lustracionin dhe nevojën e këtij procesi nuk besoj të ketë pasur dilema, por edhe po qe se ka pasur ndokush, ato kjo verë i ka eliminuar. Shpërfaqja me emra e mbiemra të atyre që me zell të madh i kanë shërbyer sistemit të kaluar, roli i gjithsecilit që i ka shërbyer ish sistemit, përfshirë edhe regjimit gjenocidal të Milloshoviçit duhet konstatuar, pavarësisht ku janë sot e çfarë bëjnë. Kur qe publikuar Draft-strategjia për Drejtësinë Tranzicionale, në kuadër të Objektivit strategjik 4 (Eliminimi i mundësive për përsëritjen e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut nëpërmjet reformimit institucional), ndër aktivitetet parasheh edhe “Vlerësimi dhe verifikimi i zyrtarëve të institucioneve publike duke përfshirë policinë, institucionet arsimore, administratën publike dhe institucionet e drejtësisë”, përfundimi i të cilit aktivitet sipas planit të veprimit ishte paraparë të bëhet në tremujorin e dytë të vitit 2025. Ky aktivitet nënkuptonte lustracion (vlerësim i pastërtisë së figurës së zyrtarëve publikë), u pat vlerësuar si lajm i mirë”, deklaron Bajraktari.

Tutje, Bajraktari thotë se lustracioni është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, sepse për fat të keq ende ka zyrtarë nëpër institucione të rëndësishme shtetërore që kanë qenë pjesë e sistemit të regjimit të kaluar.

“Vlerësimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve publikë, apo lustracioni, pavarësisht se si emërtohet, në fakt ka për qellim vlerësimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve publikë, është edhe i nevojshëm edhe i domosdoshëm, por se i vonuar, madje shumë i vonuar. Ky aktivitet, për fat të keq është hequr gjatë rrugëtimit procedural të draftit të strategjisë, pra Strategjia për Drejtësi Tranzisionale e Republikës së Kosovës 2024-2034 e miratuar nga Qeveria në qershor të këtij viti, nuk e parasheh lustracionin, kjo shpërfaq mungesën e vullnetit politik për këtë çështje. Kjo është keq, shumë keq. Vlen të theksohet se të gjitha vendet e ish sistemit komunist, tashmë në një formë apo tjetër e kanë kaluar këtë proces, andaj kështu do të duhej të vepronim edhe ne, madje shumë më herët. Lustracioni, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, sepse për fatin e keq, ende ka zyrtarë nëpër institucione të rëndësishme shtetërore të cilët kanë qenë pjesë e sistemit të regjimit të kaluar, të cilët kanë kontribuar për fuqizimin e diktaturës dhe terrorit, qoftë deri në vitet e ‘90-ta, qoftë edhe pas këtyre viteve. Këto figura dhe e kaluara e tyre në shërbim të okupatorit duhet konstatuar, e vërteta duhet të zbardhet dhe nga ajo nuk duhet të ketë frikë askush. Ky proces duhet të bëhet para së gjithash me vullnet politik, i cili për fat të keq edhe pas kaq kohe nuk po ekziston, por edhe me konsensus institucional e edhe shoqëror, i cili duhet të pasohet me rregullim të mirëfillt të bazës ligjore, përkatësisht hartimin dhe miratimin e legjislacionit që mundëson lustracionin, përmes një procesi të gjerë konsultimesh dhe sa më gjithëpërfshirës”, përfundon Bajraktari.

Read Entire Article