Një ukrainas vuri dhëmbët e tij në provë duke përdorur gojën për të thyer dy Rekorde Botërore Guinness për tërheqjen e veturave.
Dmytro Hrunskyi, 34 vjeçar, theu rekordin për shumicën e veturave të tërhequra me dhëmbë dhe arriti të tërheqë gjashtë vetura brenda së cilave ndodheshin edhe shoferët – një peshë totale prej 7,603 kilogramëve.
Çdo veturë ishte në neutral, por kërkohej të kishte një shofer pas timonit për të siguruar që veturat të qëndronin në një vijë të drejtë, shkruan UPI, transmeton Telegrafi.
Hrunskyi më pas tentoi që ta thyente rekordin për tërheqjen më të shpejtë të veturës prej 30 metrash me dhëmbë dhe tërhoqi një taksi me peshë prej 1,040 kilogramëve në distancën e kërkuar në 15,63 sekonda.
“Hobi im janë truket e fuqisë ekstreme dhe qëllimi im është të jem mbajtës i shumëfishtë i rekordeve”, tha “bodybuilderi” për Guinness World Records.
Ai më parë vendosi rekordin për trenin më të rëndë të tërhequr me qafë, duke tërhequr një tren me peshë prej 32,499 kilogramëve në vitin 2022. /Telegrafi/