Ukrainasit afër centralit bërthamor jetojnë me frikë nga një katastrofë e mundshme

1 year ago 29
Reklamë

Pamjet e termocentralit bërthamor më të madh në Evropë mund të shihen nga dritaret e zyrës së Yevhen Yevtushenko, të ndërtuara gjatë kohës sovjetike.

Kullat që e rrethojnë atë janë në largësi më pak se 10 kilometra përgjatë lumit Dnjepër, i cili tashmë ka pësuar thatësira për shkak të dëmtimit të digës.

Me pamje fizike të ashpër dhe me mjekër të gjatë, paksa i irrituar dhe pistoletën në bel, Yevtushenko i cili udhëheq Administratën Ushtarake të Qarkut Nikopol, dha mendimin e tij për gjasat e një katastrofe bërthamore.

“Unë mendoj se ka gjasa të mëdha”, tha ai për Radion Evropa e Lirë më 3 korrik.

Yevtushenko kishte marrë paralajmërime të shumta nga zyrtarët ukrainas lidhur me situatën e krijuar në Zaporizhja, aty ku ndodhet termocentrali bërthamor e që është nën kontrollin e Rusisë që nga marsi i vitit 2022, pothuajse dy javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, më 24 shkurt të vitit të kaluar urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase, gjeneral Kyrylo Budanov, më 23 qershor tha se Rusia ka planifikuar shpërthim në katër prej gjashtë njësive të gjeneratorëve të termocentralit dhe sistemit të ftohjes.

Pa ofruar dëshmi, ai tha se një plan rus për të shkatërruar njësitë është “planifikuar dhe miratuar”, dhe po mungon vetëm urdhri për ta zbatuar këtë plan.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 1 korrik se ka një “kërcënim serioz sepse Rusia teknikisht është e gatshme të provokojë me një shpërthim lokal në atë stacion”, dhe kjo do të shkaktonte rrezatim në shkallë të gjerë. Ai shtoi se “gjendja është shumë e rrezikshme”.

Më 4 korrik, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se gjatë ditës “ishin vendosur pajisje që i përngjanin mjeteve shpërthyese në pjesën e jashtme të kulmeve, në njësinë e tretë dhe të katërt” të centralit bërthamor.

Shtabi tha se nëse shpërthehen këto pajisje do të dëmtohej reaktori, mirëpo ushtria ukrainase sugjeroi se e gjithë kjo mund të bëhej në atë mënyrë që faji t’i vihej ukrainasve.

Zyrtarët rusë kanë rritur tensionet duke pretenduar, pa dhënë dëshmi, se mbrojtja ukrainase po sugjeron se Kiev është duke përgatitur një katastrofë në termocentral dhe për të ta fajësojë Moskën.

“Ky nuk është një spektakël televiziv, por një paralajmërim për një katastrofë”, tha Yevtushenko, i cili ka në zyrën e tij në emblemë të inteligjencës ushtarake ukrainase.

Ai shtoi se “reagimet e komunitetit ndërkombëtar janë çuditërisht të dobëta”.

Termocentrali bërthamor është i kontrolluar nga kompania Rosatom – kompani që kontrollohet nga shteti rus – por operon me një staf ukrainas. Që nga shtatori i vitit 2022, në central u është dhënë qasje jo e plotë ekspertëve nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, që është agjenci e OKB-së.

Pas një inspektimi më 30 qershor, shefi i kësaj agjencie, Rafael Grossi, tha se ekspertët nuk kishin gjetur ndonjë dëshmi se ishin vendosur eksplozivë në central, mirëpo shtoi se “atyre ende iu duhet qasje më e plotë në mënyrë që të vazhdojnë inspektimin”, duke përfshirë edhe në pjesën e turbinës dhe sistemit të ftohjes.

Shqetësime për një katastrofë të qëllimshme në central, apo ndonjë aksident që do të shkaktonte zjarr, janë rritur për muaj të tërë. Mirëpo, frika u shtua pas dëmtimit të digës Kahovka në lumin Dnjepër më 6 qershor, që zbrazi pjesën më të madhe të ujit të rezervuarit të saj. Uji nga kjo digë gjendet pranë uzinës bërthamore në qytetin Enerhodar.

Kievi ka fajësuar Rusinë për shkatërrimin e digës, e cila që një kohë të gjatë e kontrollonte atë. Me shkatërrimin e digës, Moska është akuzuar për shkaktimin e një situate katastrofale në jug të Ukrainës, ku janë përmbytur qytete, është dëmtuar toka bujqësore, kanë vdekur banorët që jetonin përgjatë lumit dhe kanë lënë pa qasje në ujë të pijshëm 700.000 banorë të këtij rajoni.

Top Channel

Read Entire Article