Ura e Ibrit dhe ‘krisja’ me ndërkombëtarët, Kurtit i vjen ‘këshilla’: Duhet ta marrë kontrollin e veriut, por edhe të...

1 month ago 9
Reklamë

Hapja e Urës së Ibrit dhe aksionet e Kosovës në veri të vendit kanë filluar të sjellin reagime të vazhdueshme të ndërkombëtarëve.

Të premten që shkoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Ai i bëri këto komente pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë", tha Hovenier për gazetarë pas takimit.

Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, Kurti ka thënë se "ura duhet të hapet".

"Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës të lëshuar pas takimit.

Gjersa, diskutimet vazhduan për Urën e Ibrit, të hënën policia e Kosovës ka mbyllur nëntë pika të postës së Serbisë në veri të Kosovës, aksion ky i cili është kritikuar nga BE dhe SHBA, duke e cilësuar si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Njohësi i zhvillimeve dhe marrëdhënieve në Ballkan, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë të gjitha hapat që Kosova de fakto të bëhet e pavarur.

Sipas tij, kur ndërmerren hapat nga Kosova, atëherë edhe mund të pritet njohja de facto.

“Kurti duhet të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë, por duhet edhe të marrë kontrollin në veri, përndryshe as partnerët ndërkombëtarë s’kanë përse bisedojnë me të. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë të gjithë hapat që Kosova de fakto të bëhet e pavarur prej Serbisë dhe vetëm atëherë mund të pres që Serbia ta njoh de facto”, thotë Lepaja.

Image

Fadil Lepaja

Në anën tjetër, ndërkombëtarët janë të shqetësuar për mundësi eskalimi, dhe sipas Lepajës, kjo është me vend, por është e gabuar të jepen deklarata për lirinë e lëvizjes dhe të përkrahen veprimet që e bllokojnë atë.

“Partnerët ndërkombëtarë, gjithsesi e kanë me vend të shqetësohen për mundësitë e eskalimit por edhe duhet të jenë të kujdesshëm me deklarimet e lobistëve serbë se "Kurti është vetë problemi ". Është e gabuar të jepen deklarata për lirinë e lëvizjes dhe të përkrahen veprime që e bllokojnë atë, si është bllokimi i urës së Ibrit, e cila që nga paslufta është simbol i ndarjeve, bllokadave dhe e cila e mundëson që serbët e veriut të mbahen peng dhe të mos përfshihen në jetën shoqërore, politike e ekonomike të Kosovës. Ura e mbyllur është shpresë e rreme se në veri mund të mbijetojnë dy shtete e pushtete, prandaj, kritikat për kujdes duhet marrë seriozisht, por Kurti Qeveria duhet të vendosë kontroll, dhe të kujdeset edhe për të drejtat e serbëve në Kosovë, duhet të ua ofrojë dhe garantojë këto të drejta”, shprehet njohësi i zhvillimeve dhe marrëdhënieve në Ballkan.

Tutje, sipas Lepajës, Ura e Ibrit e mbyllur mban peng jo vetëm popullsinë serbe në veri, por rrezikon edhe KFOR-in dhe EULEX-in.

“Dyshtetësia e serbëve të Kosovës, u jep atyre të drejta në Serbi, por shtetësia e Kosovës i obligon që të përfshihen në jetën dhe të realizojnë të drejtat e tyre në vendin ku jetojnë, pra në Kosovë. Shtetësia e dyfishtë nuk d.m.th. se ata nuk janë shtetas Kosovarë, por se janë edhe shtetas të Serbisë dhe kanë të drejta në Serbi. Ura e Ibrit e mbyllur e mban peng jo vetëm popullsinë serbe në veri, por rrezikon edhe KFOR-in dhe EULEX-in nga forcat të cilat si kontrollon askush, ose jo dikush që është pro NATO-s dhe pro Evropës”, shton Lepaja.

Ndryshe, sot serbët në veri të Kosovës kanë  protestuar kundër hapjes së Urës së Ibrit dhe kanë paralajmëruar protesta tjera.

Read Entire Article