Pas paralajmërimeve të shteteve të Bashkuara, Serbia ka nisur zhvendosjen e një pjese të trupave ushtarakë nga kufiri me Kosovën.
Një autokolonë me ushtarë raportohet se u largua mesditën e të shtunës nga Vranja në drejtim të Nishit, zonë kjo afër qytetit të Predejanës, që ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe 100 kilometra nga Merdara që është dhe pikëkalimi më i afërt mes dy vendeve, raporton Radio Europa e Lirë.
Ndërkohë Presidenti Aleksandër Vuçiç pohoi për “Financial Times” se nuk ka për qëllim të urdhërojë futjen e ushtrisë brenda territorit të Kosovës pasi ky veprim është kundër aspiratave europiane të Beogradit.
Por nga ana tjetër, pavarësisht këtij qëndrimi, ende shumë ushtarë raportohet se ndodhen në afërsi të kufirit. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e akuzoi homologun e saj serb, Aleksandër Vuçiç se po tenton të të shkatërroj paqen pasi edhe pse kanë kaluar dy dekada po vepron njësoj si Slloban Millosheviçi.
“Mbi dy dekada pasi Millosheviçi shkatërroi Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Vuçiç tani po përpiqet të shkatërroj gjithçka që kemi arritur së bashku me SHBA dhe BE për paqen, lirinë dhe bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme. Ne do të punojmë me aleatët tanë dhe nuk do të lejojmë që këto arritje të zhbëhen. Liria do të mbizotërojë”, tha Osmani.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të ndëshkojë Serbinë ndërsa përforcoi thirrjet e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për ekstradimin e personave të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.
“Të ekstradohen ata që ikin tinëz malit”, kërkoi Kurti.
Por teksa Kosova kërkon ekstradimin e autorëve, organizatori I këtij sulmi terrorist Milan Radojçiç u shfaq për herë të parë në publik. Ish-nënkryetari I listës serbe sipas gazetës beogradase Novosti, u paraqit së bashku me avokatin e tij në Ministrinë e Brendshme të Serbisë ku dha një deklaratë për rrethanat e sulmit të armatosur mëngjesin e të dielës.
Top Channel