Vangjel Tavo bën premtimin për banorët e Himarës: Japim 100 për qind të certifikatave të shtëpive deri në tetor

1 month ago 14
Reklamë

Kandidati i PS-së për Bashkinë Himarë, Vangjel Tavo, që do të ndeshet me kandidatin e opozitës Petro Gjikuria me 4 gusht, ishte i ftuar në emisonit “Të Paekspozuarit” në MCN TV. I pyetur nga analisti Neritan Sejamini për zgjidhjen e pronave të himarjotëve, Tavo u përgjigj se certifikimi i shtëpive do të mbarojë në tetor 100 për qind dhe më pas do të nisë certifikimi i trojeve, proces që do të kryhet nga qeveria.

Neritan Sejamini: Si mund të zgjidhet problemi i pronave në Himarë?

Vangjel Tavo: Çështja e certifikimit të pronave është një çështje e mbartur prej vitesh dhe himarjotët kanë reaguar me shumë të drejtë. Por nuk e kam përdorur këtë problem. Kemi filluar që kur isha prefekt, me këmbënguljen dhe ideimin e kryeministrit për këtë problem. Unë nuk e kam përdorur këtë dhe nuk do ta përdor çështjen e pronave, sepse është futur në rrugën e zgjidhjes. Për dy muaj e pak janë shpërndarë 1226 certifikata dhe në Hipotekën e Himarës janë edhe 600 certifikata të tjera që janë për t’u shpërndarë. Pra 1826 certifikata janë gati. Deri në fund të tetorit ne do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e certifikimit të banesave, pastaj të pronave të tjera dhe më tej legalizimi që do të fillojë ta bëjë bashkia.

Neritan Sejamini: PS ka në pushtet 10 vjet dhe në bashkinë e Himarës ka dy-tre mandate radhazi. Pse nuk i ka zgjidhur këto probleme në 10 vjet, por po i zgjidh në 10 javë?

Vangjel Tavo: Po ju përgjigjem me një pyetje të njëjtë: PD-ja ka qenë në pushtet 12 vjet, më shumë se PS-ja, pse nuk e ka zgjidhur?
Sot janë pjekur të gjitha kushtet dhe pas çështjeve të krijuara kohët e fundit, është vendosur që të zgjidhet një herë e mirë. Ne e dimë se çfarë kanë hequr shqiptarët ndër vite, jo sot, me problemin e certifikimeve dhe të legalizimeve. Të gjitha qeveritë i kanë përdorur për fushata elektorale. Ju kujtohet se çfarë është bërë në Tiranë me legalizimin e shtëpive të banimit. Problemi është se sot po zgjidhet, nuk po përdoret më si çështje elektorale kur jepeshin 50 certifikata, por 1826. Deri në fund të tetorit do të shpërndahen të gjitha certifikatat për banorët.

Neritan Sejamini: Mos po e përdorni edhe ju për fushatë elektorale?

Vangjel Tavo: Nëse do ta përdornim edhe ne, do të shpërndanim 50 certifikata, siç kanë bërë qeveritë e tjera. Nga 50 jepnin dhe pastja tundnin dorën dhe merrnin votat. Do të zgjidhet 100 për qind. Deri më sot 42 për qind po marrin certifikatat e shtëpive. Deri në fund të tetorit do të bëhet 100 për qind.

Neritan Sejamini: I njëjti proces po përdoret edhe për pronat në bregdet?

Vangjel Tavo: Direkt pas certifikimit të shtëpive, do të fillojë trajtimi i AMTP në bregdet.

Neritan Sejamini: Pra kjo do të jetë pas zgjedhjeve. Si do ta zgjidhni?

Vangjel Tavo: Unë jam kryetar i bashkisë së Himarës nesër. Nuk do ta zgjidh unë, por qeveria që nisi ta zgjidhë.

Read Entire Article