Mediat franceze i kanë bërë jehonë idesë për krijimin e “shtetit të Bektashinjve”, sipas modelit të Vatikanit.
Le Parisien dhe Cnews shkruajnë se Qeveria shqiptare po punon për një “shtet sovran” në kryeqytetin Tiranë, një model si Vatikani.
“Shteti më i vogël në botë është gati të lindë. Kryeministri shqiptar Edi Rama, një katolik jo praktikues, njoftoi të shtunën në rubrikat e Neë York Times synimin e tij për të krijuar një ent të ri të qeverisur nga bektashinjtë për të promovuar një islam tolerant. Një lloj “Vatikani mysliman”, përmbledh mediat amerikane, me një sipërfaqe prej 0,11 km², mezi sa një e katërta e sipërfaqes së qytetit të Vatikanit”, shkruan Le Parisien në një artikull.
Pasaporta dhe kufijtë
Ky shtet i ri do të vendoset në lindje të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës dhe do të shërbejë si një shtëpi politike për myslimanët bektashi, komuniteti i katërt fetar i Shqipërisë pas myslimanëve sunitë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikëve.
Ajo do të ketë administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë e saj. Një muze që tregon historinë e bektashinjve dhe një dhomë lutjesh do të instalohen gjithashtu atje. Lideri aktual shpirtëror Baba Mondi, i thirrur për t’u bërë kreu i shtetit, kërkon gjithashtu një shërbim inteligjence. Nënshtetësia do t’u jepet vetëm anëtarëve të klerit dhe administratës së tij.
Konsumimi i alkoolit do të lejohet dhe gratë do të jenë në gjendje të veshin çfarëdo veshje që dëshirojnë, sipas praktikave tolerante të rendit bektashi, një degë e islamit shiit të ndikuar nga sufizmi , i cili mbron një vizion tolerant dhe mistik të Islamit dhe filozofitë e tjera.
“Sovraniteti i rendit Bektashi përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e vlerave të përfshirjes, harmonisë fetare dhe dialogut në një botë gjithnjë e më të përçarë”, përshëndeti Urdhri Bektashi në një deklaratë për shtyp.
“Një ekip ekspertësh ligjorë, duke përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë një tekst që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë”, tregon Neë York Times. Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama më pas duhet ta miratojë. Atëherë shtrohet pyetja: cilat vende do të pranojnë të njohin sovranitetin e këtij shteti të ri”, shkruan Le Parisien.
Ndërkohë C News në një tjetër artikull shkruan se Kryeministri shqiptar Edi Rama është plot ambicie. “Ai dëshiron të krijojë një “shtet sovran” të bektaxhinjve, një vend që do t’i ngjante Vatikanit”, shkruan C News.
“Frymëzimi ynë është të mbështesim transformimin e Qendrës Botërore Bektashi në Tiranë në një shtet sovran, një qendër të re moderimi, tolerance dhe bashkëjetese paqësore”, tha Edi Rama të dielën në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, transmetuar edhe nga zyra e tij në Shqipëri.
Bektaxhinjtë janë një pakicë në Shqipëri, pasi ata përfaqësojnë vetëm rreth 10% të popullsisë, sipas regjistrimit të vitit 2023, vendi, ku pak më pak se 50% e 2.4 milionë banorëve të tij janë të besimit mysliman”, shkruan media franceze.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb