Vizita e shumëpërfolur e kancelarit gjerman në Serbi, kritikohet ashpër arritja e kësaj marrëveshjeje – vjen paralajmërimi për Kosovën!

1 month ago 11
Reklamë

Së fundi, Bashkimi Evropian dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për partneritet strategjik në fushat e lëndëve të para të qëndrueshme, zinxhirëve të prodhimit të baterive dhe makinave elektrike.

Marrëveshja pasoi vendimin e autoriteteve në Serbi për të çuar përpara projektin për minierën e litiumit, që pritet të përmbushë një pjesë të kërkesës evropiane për këtë produkt.

Ishte pikërisht, Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Beograd, tha se “është një projekt i rëndësishëm evropian dhe gjithashtu një kontribut për të siguruar që Evropa të mund të mbetet sovrane në një botë në ndryshim dhe të mos jetë e varur nga të tjerët”.

Kancelari Scholz tha se Evropa duhet të ulë varësinë nga të tjerët duke krijuar struktura të qëndrueshme në zinxhirët e furnizimit.

Kjo do të thotë se ne duhet të zhvillojmë burime të reja të lëndëve të para në të gjithë botën. Por, në radhë të parë, sigurisht, ato që ekzistojnë në vende tona ku fati, historia dhe gjeologjia i kanë lejuar të zhvillohen”, tha ai.

Kjo vizitë e kancelarit gjerman u përcoll me reagime dhe deklarata të ndryshme, kjo pasi BE bëri marrëveshje me një shtet gjencidal.

Si duket tentativat e Perëndimit për ta larguar Serbinë nga ‘gjiri’ i Rusisë dhe Kinës nuk kanë të ndalur.

Megjithatë, këto përpjekje po kritikohen dhe cilësohen jo korrekte, derisa nuk po përfillen shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

E për ndikimin e kësaj marrëveshje te Kosova, folën njohësit e çështjeve politike e diplomatike.

Shabani: Mesazhi do të dëgjohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.

Image

Amir Shabani

Si fillim, ai komentoi vizitën e Scholz në Serbi, derisa tha se nuk ka asnjë garanci se projekti i minierave do të jetë në përputhje me standardet serbe

Me aderimin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Beograd, BE-ja dhe Gjermania shkëmbyen (aderuan) demokracinë, sundimin e ligjit dhe perspektivën e BE-së në Ballkanin Perëndimor për litiumin. Nuk ka institucione apo media të pavarura me shtrirje kombëtare, nuk ka hapësirë për shoqërinë civile kritike në Serbi.

Kështu, nuk ka asnjë garanci se projekti i minierave do të jetë në përputhje me standardet serbe (për të mos përmendur BE-në). Protestat masive ndaluan përpjekjen e parë në vitin 2021. Tani BE-ja dhe Gjermania po mbështesin hapur projektin pas mashtrimit zgjedhor dhe përkeqësimit të shtetit ligjor”.

Krahas kësaj, Shabani kritikoi BE-në, ku u shpreh se me këtë marrëveshje ajo shkeli vlerat e saj.

Po ashtu, potencoi se me këtë qasje zgjerimi i BE-së ka vdekur.

Mesazhi do të dëgjohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Një marrëveshje që i shërben BE-së është më e rëndësishme se vlerat e saja evropiane dhe me një qasje të tillë, zgjerimi i BE-së ka vdekur. 

Loznica, një vendbanim në Serbi, pritet të jetë një minierë litiumi në të ardhmen. Protestat e serbëve të gjelbër mund të bëhen problem, gjatë vizitës së paralajmëruar të kancelarit gjerman Olaf Scholz”, nënvizoi ai.

Më tej, shtoi se kjo marrëveshje konfirmoi faktin se BE nuk i interesojnë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, as anëtarësimi i Kosovës.

Ai kritikoi ashpër këtë marrëveshje bashkëpunimi me shtetin që ka kryer gjenocid në rajon.

“I gjithë ky veprim nga Gjermania dhe BE-ja në përgjithësi, dëshmon qartë se ata nuk brengosen fare për politikat e zgjerimit sa i takon Ballkanit Perëndimor, anëtarësimin e Kosovës dhe rritjen e sigurisë në rajon, përkundrazi ata po shtrëngojnë duart me "mashën" e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Pra, është absurde që nga njëra anë të kundërshtohet Rusia dhe nga ana tjetër të bësh marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë, vendi që ka kryer gjenocide në rajon”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”. 

Mehazi: Kjo marrëveshje gjermane-serbe më shumë është çështje tregetare-ekonomike sesa politike

Kurse, profesori Sulejman Mehazi u shpreh se kjo marrëveshje nuk është politike, më shumë është çështje tregtare-ekonomike.

Image

Sulejman Mehazi

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot”, vlerësoi se marrëveshja e fundit Gjermani-Serbi nuk ka të bëjë me çështjen e Kosoves dhe largimin e Serbisë nga Kina

 “Marrëveshja e bashkëpunimit të Serbisë me Gjermaninë për shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për prodhimin e baterive, veçanërisht për veturat elektrike nuk kanë të bëjnë me çështje politike, por me aspekte ekonomike dypalëshe, Gjermani-Serbi. Pra, kjo marrëveshje gjermane-serbe më shumë është çështje tregtare-ekonomike sesa politike dhe kurrsesi s'ka të bëjë me çështjen e Kosovës dhe largimin e Serbisë nga Kina, por me interesa dypalëshe ekonomike”, potencoi profesori.

Po ashtu, Mehazi përmendi edhe një fakt se Çekia ka më shumë rezerva të litiumit se sa Serbia, por që Scholzit llogaria i vjen më lirë nga shteti i Vuçiqit.

Është e ditur dhe e njohur se Çekia ka rezerva më të mëdha të litiumit në Evropë dhe për nga afërsia Gjermania Çekinë e ka në kufi, por Scholzit llogaria ekonomike e marrëveshjes me Serbinë i vjen më e lirë dhe më e begatshme sesa me Çekinë në kufi të Gjermanisë. Në anën tjetër as ekonomia politike dy miliardësh kineze që ka kapluar kontinentet nuk varet prej arit të bardhë, litiumit, të Serbisë perëndimore, Kina e ka afër vendin më të varfër, por më të pasur në botë me arin e bardhë të litiumit”, shtoi ai.

Në fund, profesori theksoi se kjo marrëveshje nuk e dëmton politikën e shtetit gjerman ndaj Kosovës, derisa përmendi edhe minierën gjigante të Trepçës në veri.

“Kështu që kjo marrëveshje e Sholzit me Vuçiqin kurrsesi nuk dëmton politikën pozitive te Gjermanisë ndaj Kosovës. Pikërisht dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lufton për të ruajtur minierat gjigante te Trepçës nga Serbia në veri të Kosovës, Shumë më të leverdishme për Kosovën janë minierat e pasura marramendëse të Trepçës që kanë shfrytëzuar e ndërtuar Ish-Jugosllavinë sesa litiumi në Serbinë perëndimore.

Nëse Serbia ka litiumin, Shqipëria detin, Kosova si e qysh, me paqe apo me luftë duhet ta mbrojë pasurinë më të madhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor, Trepçën”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Read Entire Article