ELBASAN
Në të gjithë fshatrat e Bashkisë së Belshit ka nisur sezoni i vjeljes së ullinjve. Ndonëse prodhimi këtë vit ka qenë i begatë, fermerët pohojnë se procesi i vjeljes, i grumbullimit e deri në përpunim has në një sërë problematikash, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e tyre familjare.
Emigrimi i të rinjve ka sjellë mungesë të fuqisë punëtore dhe të vetmit persona që punojnë në vjeljen e ullinjve janë mosha e mesme dhe të moshuarit. Fermerët shprehen se gjetja e punëtorëve është e vështirë dhe kostoja e pagesës për ta e lartë.
Ullinjtë e Belshit i përkasin një moshe relativisht të re, rreth 30-50-vjeçare, megjithëse sipas fermerëve cilësia e tyre, por edhe cilësia e vajit është tepër e lartë. Fermerët pohojnë se ullinjtë tregtohen me një çmim shumë të ulët, për rrjedhojë edhe vaji, duke mosmbuluar të gjitha shpenzimet që kërkon kultivimi deri në përpunimin e tyre.
Fitimi i ulët nga fermerët ndikon drejtpërdrejt edhe në pagesën e punëtorëve, të cilët shprehen se puna ka vështirësi të shumta, ndërsa nuk janë fort të kënaqur nga pagesa. Rritja e çmimeve të produkteve bazë të shportës dhe e kostos së jetesës në tërësi, sjell nevojën për një pagesë më të lartë, shprehen ata.
Nga ana tjetër, përpunuesit e vajit të ullirit në Belsh pohojnë se rreth 60% e totalit të sasisë së vajit të prodhuar eksportohet në vendet fqinje, kryesisht në Itali, ndërsa 40% shkon për konsumatorin vendas. Përpunuesit thonë se ulja e çmimit të blerjes së ullinjve nga fermerët ndikohet nga eksportuesit, të cilët parapërcaktojnë çmimin e blerjes së vajit.
Në të pesta Njësitë e Belshit në total numërohen rreth 1 milionë e 200 mijë rrënjë ullinj, të cilët prodhojnë rreth 2 milionë e 500 mijë litra vaj, prodhimi i të cilëve përpunohet nga 18 fabrika të zonës. Varieteti me më shumë rrënjë ulliri në Belsh është ai i Korronekut, i ndjekur nga Frontoi dhe Leçino.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb