Vjen propozimi publik për çështjen e Asociacionin/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare jep një version – zbulon synimin e Serbisë!

1 week ago 38
Reklamë

Kosova dhe Serbia po vazhdojnë të kenë tensione për shumë çështje.

Serbia është ajo e cila krijon tensione dhe mundohet të sjellë destabilizim në Kosovë dhe në gjith rajonin.

Së fundmi hapja e urës së Ibrit, situata në pikat kufitare dhe insistimi për Asociacion janë bërë disa tema që nuk arrihet kompromis.

E në lidhje me këto situata në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ai thotë se çështja e Asociacionit mund të sjellë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Image

Mirsad Voca

Një hap strategjik dhe i mirëplanifikuar mund të lehtësojë tensionet politike, të forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të hapë rrugën për një të ardhme më të qëndrueshme. Ky hap do të ishte dorëzimi i draftit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer këtë çështje nga një debat politik në një proces juridik të rregullt”, u shpreh ndër tjera ai.

Qeveria e Kosovës përballet me një sfidë të vazhdueshme lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një problem që ka krijuar tensione të mëdha si brenda vendit, ashtu edhe në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë, një hap strategjik dhe i mirëplanifikuar mund të lehtësojë tensionet politike, të forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të hapë rrugën për një të ardhme më të qëndrueshme. Ky hap do të ishte dorëzimi i draftit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer këtë çështje nga një debat politik në një proces juridik të rregullt.

Në të njëjtën kohë, ky proces duhet të shoqërohet me një angazhim nga bashkësia ndërkombëtare për ta përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si një hap i rëndësishëm përpara. Ky anëtarësim duhet të ndodhë si një proces i pavarur nga njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe duhet të shërbejë si një rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit të Kosovës për të dorëzuar draftin e asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Njohja e ndërsjellë duhet të mbetet një qëllim themelor, por anëtarësimi në Këshillin e Evropës duhet të trajtohet si një proces i pavarur, që i përket bashkësisë ndërkombëtare për ta garantuar”, thotë Voca.

Dorëzimi i Asociacionit në Kushtetuese: Një hapë për Paqe të qëndrueshme

Duke vazhduar tutje me shpjegimin, Voca thotë që çështja e Asociacionit duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese në këtë mënyrë qeveria do të përqendrohej në zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar.

“Dorëzimi i draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese do të ishte një hap i rëndësishëm për të zbutur tensionet politike, si brenda Kosovës, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Çështja e asociacionit ka qenë për vite me radhë burim mosmarrëveshjesh dhe frikërash, sidomos për qytetarët e Kosovës që druhen për ndikimin e tij mbi sovranitetin e vendit. Por duke kaluar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, Kosova tregon përkushtimin e saj për zgjidhje të bazuara në ligj dhe drejtësi, duke përjashtuar politizimet apo presionet e jashtme.

Kjo lëvizje do t’i hiqte qeverisë një barrë të madhe, duke kaluar procesin në një fushë më të kontrollueshme – atë të drejtësisë kushtetuese. Në këtë mënyrë, qeveria do të përqendrohej në zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të merrte një vendim që respekton si të drejtat e minoriteteve, ashtu edhe katakterin, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, shprehet ai.

Serbia dhe Çështja e Asociacionit

Ndër të tjera Voca thekson që synimi i Serbisë nuk ka qenë asnjëhere për të drejtat e servëve në Kosovë.

SIpas tij, dorëzimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese tregon përkushtimin e Kosovës për të përmbushur këto obligime ndërkombëtare.

Një aspekt thelbësor që duhet nënvizuar në këtë proces është se Serbia, në realitet, asnjëherë nuk ka qenë e interesuar me të vërtetë për të drejtat e serbëve në Kosovë. Kjo çështje është përdorur shpesh si mjet politik nga Serbia për të mbajtur një ndikim mbi Kosovën dhe për të ndikuar në arenën ndërkombëtare. Në fakt, të drejtat e serbëve dhe të minoriteteve të tjera janë të garantuara tashmë me Kushtetutën e Kosovës, e cila siguron mbrojtje të gjerë për të gjitha komunitetet, duke përfshirë të drejtat e tyre kulturore, arsimore, dhe përfaqësimin politik.

Përkundër faktit që të drejtat e serbëve janë të garantuara, Kosova ka obligimin që të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara më parë, si Marrëveshja e Brukselit. Dorëzimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese tregon përkushtimin e Kosovës për të përmbushur këto obligime ndërkombëtare, ndërkohë që siguron që çdo vendim të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, potencon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës: Një hapë përpara për Kosovën

Një çështje të rëndësishme dhe thelbësore Voca e sheh anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një hap thelbësor në këtë proces është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, një synim që duhet realizuar paralelisht me dorëzimin e draftit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarësimi në këtë organizatë do të ishte një shenjë e qartë e angazhimit të Kosovës për të ndjekur rrugën e integrimit në strukturat ndërkombëtare që promovojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Kosova ka bërë përparime të mëdha në përputhjen me këto standarde dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës është një hap që i përket bashkësisë ndërkombëtare për ta garantuar si përgjigje ndaj angazhimit të Kosovës për një zgjidhje ligjore të çështjes së asociacionit.

Kjo do të duhej të ndodhte para se të arrihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë Kosovës hapësirën e duhur për të forcuar pozitat e saj ndërkombëtare dhe për të përfituar nga mbështetja e plotë e institucioneve ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk duhet të lidhet direkt me procesin e njohjes, por të ndodhë si rezultat i përkushtimit të Kosovës për të respektuar ligjin dhe për të ndjekur rrugën e integrimit evropian”, u shpreh ai.

Njohja e ndërsjellë: Një synim themelor për normalizim të plotë

Voca nënvizon që njohja e ndërsjellë sjellë stabilitet të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, për të arritur një stabilitet të qëndrueshëm dhe paqe afatgjatë, njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një qëllim që duhet ndjekur. Marrëveshja e Ohrit, e cila është bërë baza e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të formalizohet përmes njohjes së ndërsjellë. Kjo do të hapte rrugën për stabilitet të qëndrueshëm mes dy vendeve dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të qetë dhe pa konflikte.

Njohja e ndërsjellë do të ndihmonte në përfundimin e një prej çështjeve më të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon, por kjo njohje nuk duhet të kushtëzohet me hapa të tjerë të brendshëm, siç është dorëzimi i draftit të asociacionit apo anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Këto janë procese që mund të ndodhin paralelisht, por nuk duhet të ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i dhënë secilit proces një hapësirë të vetën për të përparuar”, potencon ai.

Thënë shkurt dhe si përfundim :

Në fund Voca thotë që një Asociacion që nuk dëmton sovranitetin e vendit do të ishte një hapë i rëndësishëm për Kosovën.

Qeveria e Kosovës ka mundësinë të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit përmes dorëzimit të draftit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe përparimit të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Këto veprime do të tregonin përkushtimin e vendit për të respektuar ligjin dhe për të ndjekur rrugën e integrimit evropian. Njohja e ndërsjellë me Serbinë mbetet një qëllim themelor dhe një kusht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por proceset e tjera nuk duhet të lidhen direkt me të. Këto hapa do të sillnin qetësi dhe stabilitet të brendshëm, duke lejuar që Kosova të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të përmbushë ambiciet e saj për integrim evropian”, përfundoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca për “Bota sot”.

Read Entire Article