“Vjosa Osmani e preferuara e Washingtonit”/ Ja çelësi i integrimeve euro-atlantike të Kosovës

2 months ago 7
Reklamë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këto ditë ishte për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i vizitës ishte pjesëmarrja e saj në një forum për gratë dhe rolin e tyre në shoqëri, me ftesë të sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në kuadër të Samitit të NATO-s, ku u shënua 75 vjetori i kësaj organizate.

Por në ditën e fundit ajo u ftua edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden, në një ceremoni dhe aktivitet të shefave të shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare të NATO-s.

Lidhur me këtë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë se vizita e Osmanit dhe pjesëmarrja në këto veprimtari janë me rëndësi të jashtëzakonshme për partneritetin strategjik të Kosovës me SHBA-të dhe me NATO-n.

“Për herë të parë në historinë e Aleancës Atlantike mori pjesë në një samit të saj një lider i shtetit të Kosovës. Këtë fat e pati Vjosa Osmani dhe për këtë arsye ajo dhe shqiptarët janë e duhet të jenë krenarë. Gjithmonë ka një herë të parë. Por të ftohesh nga presidenti amerikan në samit të NATO-s, kjo për Kosovën është ngjarje që shënohet në histori. Tregon se dritarja e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën e Atlantikut është e hapur tashmë. Po të kemi parasysh se para dy muajsh Kosova mori statusin e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, atëherë gjithkush e kupton vlerën e çmuar të pjesëmarrjes së presidentes së Kosovës në takimin me Biden dhe liderë të tjerë të vendeve të aleancës. Pra, kemi të bëjmë me një zhvillim pozitiv të jashtëzakonshëm”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, ky hap forcon jo vetëm bashkëpunimin Kosovë-SHBA e gjithashtu me NATO-n, por rikonfirmon se Kosova tashmë është në agjendën e integrimeve të plota euro-atlantike.

“Në fund të fundit, situata gjeopolitike në Evropë dhe sidomos agresioni rus kundër Ukrainës e kanë nxjerrë çështjen e Kosovës nga arkivat dhe asaj tashmë i duhet bërë vend i plotë në strukturat e organizatave euro-atlantike. Sa më shumë të zgjatet ky lloj kalvari, aq më shumë rrezikohet paqja e stabiliteti jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Kjo është arsyeja pse SHBA-të dhe NATO i kushtojnë vëmendje të shtuar raporteve me Kosovën”, thekson Bytyçi.

“Duket qartë se presidentja Osmani është e preferuara e Uashingtonit. Kemi parasysh se edhe Edi Rama ishte në Samitin e NATO-s në Uashington. Por pati vetëm dy takime, me zonjën Osmani dhe me Mickovskin e Maqedonisë së Veriut. Askush nga administrata amerikane nuk e priti atë. Përshëndetjet në sallën e samitit me Macron apo ndonjë tjetër janë rutinë. Ramën kësaj radhe nuk e lanë as të luante rolin e dirigjentit apo protokollit për t’i afruar udhëheqësit e vendeve të NATO-s për fotografinë protokollare. Ndërkohë presidentja Osmani pati takime e bisedime me sekretarin e Shtetit, Blinken, me presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe me me personalitete të tjera si kryeministri i Kanadasë etj. Ajo e prezantoi Kosovën me dinjitet në margjinat e këtij samiti, që përkujtoi 75 vjetorin e themelimit të organizatës politiko-ushtarake të NATO-s. Kam parasysh kur para 25 vitesh, ishte muaji maj i vitit 1999, kur NATO festoi e kremtoi 50 vjetorin e saj në Uashington, ndërkohë që aleanca bombardonte Serbinë dhe hidhte bomba mbi pikat ushtarake e policore serbe. Asokohe NATO hartoi një strategji të re të mbrojtjes kolektive. Ndërsa sot pas 25 vitesh presidentja e vendit ku asokohe hidheshin bomba e bëhej luftë, e përfaqëson Kosovën në ceremoninë e 75 vjetorit të saj! Është një arritje dhe kapërcim i jashtëzakonshëm”, shpjegon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Më tej, ai thotë se pjesëmarrja e Osmanit në forumin e NATO-s i bën një favor të madh shtetit të Kosovës.

“Ndërkohë që Kosovës i bën nder edhe pjesëmarrja dhe fjala e presidentes në samitin për gruan në kuadër po ashtu të NATO-s. Është i njohur kontributi i presidentes në këtë fushë. Është e promovuar ajo nga amerikanët dhe në forume të tjera për gratë sa i përket kontributit të saj në këtë fushë. Dhe ky promovim është gjithashtu promovim i Kosovës dhe pozitës së saj ndërkombëtare. Prandaj dhe të gjithë ne duhet ta shohim me optimizëm pjesëmarrjen e liderëve të Kosovës në veprimtari të tilla. Sepse këto veprimtari japin mesazhe të caktuara dhe rritin shpresat për një përparim thelbësor në shtet-ndërtim dhe integrime të Kosovës”, nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën.

“Megjithatë, Kosova, presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, diplomatët, sidomos ambasadorët, do të duhet të shtojnë e dyfishojnë përpjekjet e tyre për të realizuar njohjen e pavarësisë e të shtetësisë nga katër vende anëtare të NATO-s, të cilat ende nuk e njohin atë, ose të pesë vendeve anëtare të BE-së. Ky është dhe duhet të jetë projekti i parë madhor për shtetin e Kosovës dhe politikanët që e drejtojnë dhe e udhëheqin atë. Po bëhen katër vite pa asnjë njohje, pas asaj të Izraelit. Ka ardhur koha që nëse është investuar në këtë drejtim, të shihen frytet e këtij investimi. Nuk e di pse koha kalon dhe asgjë nuk lëviz”.

Për fund, Bytyçi deklaron se njohja nga vendet anëtare të NATO-s dhe atyre të BE-së është çelësi i integrimeve euro-atlantike të Kosovës.

“Unë nuk e di nëse zonja Osmani e ka trajtuar këtë çeshtje me kryeministrin e Shqipërisë me qëllim që të mobilizohet edhe diplomacia e politika shqiptare për këtë, e cila deri tani ishte inekzistente. Ndoshta ajo i ka biseduar këto shqetësime edhe me zotin Blinken dhe zotin Macron. Megjithatë përpjekja për të tërhequr amerikanët, evropianët dhe turqit në këtë aksion politik e diplomatik duhet shtuar në maksimum. Pjesëmarrja e zonjës Osmani dhe kontributi i saj me këtë pjesëmarrje në margjinat e kremtimit të 75 vjetorit të NATO-s në Uashington ishte dhe mbetet sukses për imazh, por jo thelbësor për integrime. Njohja nga vendet anëtare të NATO-s dhe atyre të BE-së është çelësi i integrimeve euro-atlantike të Kosovës”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Read Entire Article