VOA: Trump, Biden tërheqin votuesit në TikTok

2 months ago 7
Reklamë

Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump bien dakord për pak gjëra, por ndalimi i rrjetit social TikTok me qendër në Pekin ka qenë një ndër to. Por ndërsa po afrojnë zgjedhjet presidenciale, dy kandidatët për president po i bashkohen kësaj platforme që dëshironin më parë të mbyllej. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh njofton nëse kjo do të ndryshojë diçka për ditën e zgjedhjeve.

Kandidati i pritshëm republikan për president Donald Trump u bë këtë muaj pjesë e rrjetit TikTok.

Presidenti Joe Biden bëri të njëjtën gjë në shkurt.

Duket se rrjeti i akuzuar se është keqpërdorur, nuk përbën më problem kur bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale.

“E gjithë bota e mediave sociale ka ndryshuar gjatë katër viteve mes zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe këtyre tani. Këto janë zgjedhjet e para në të cilat TikTok-u shërben si forcat dominuese”, thotë Teddy Goff, nga firma e komunikimeve “Precision Strategies”.

Si presidenti Biden, ashtu edhe ish-presidenti Trump ishin në favor të ndalimit të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara, për shkak të shqetësimeve të sigurisë për lidhjet e kompanisë mëmë me qeverinë kineze.

Por me 170 milionë personat e regjistruar në këtë rrjet në Shtetet e Bashkuara, 44% e tyre të grupmoshës 18-29 vjeç, TikTok-u përfaqëson një mundësi jetike për të fituar mbështetjen e votuesve të rinj.

Por ndërsa vazhdon prirja e amerikanëve për t’u bërë pjesë e mediave sociale, një studim i fundit tregon se nuk është kjo arsyeja përse amerikanët frekuentojnë mediat sociale.

“Kur i pyesim se për çfarë arsye shkojnë tek këto rrjete, mendoj se argëtimi ishte përgjigja kryesore për secilin. Në veçanti për TikTok-un, argëtimi ishte një arsye madhore dhe lajmet nuk ishin një arsye kryesore përse njerëzit orientohen drejt këtyre platformave”, thotë Elisa Shearer, nga Qendra Kërkimore Pew.

Frekuentuesit e rrjetit TikTok konsumojnë lajme në mënyrë indirekte, nëpërmjet postimeve me humor, apo opinioneve për ngjarjet e fundit. Në dallim nga rrjetet Facebook dhe Instagram, këto nuk janë të postuara nga miqtë apo familjarët.

“Në TikTok, burimi më i zakonshëm i lajmeve janë realisht persona të tjerë të cilët nuk i njohin personalisht. Ua ushqen më shumë algoritmi dhe nuk janë nga persona që i ndjekin vetë”, thotë zonja Shearer.

“Është shumë, shumë e vështirë për një llogari të caktuar mediash sociale, qoftë edhe llogaria e presidentit, apo ish-presidentit, që të marrë vëmendje të lartë në një sfond tepër të ngarkuar dhe kaotik në mediat sociale”, thotë zoti Goff.

Ekspertët e marketingut thonë se është thelbësore që të përdoret reputacioni dhe shtrirja e influencuesve aktualë në rrjet.

“Duhet që mesazhin ta japin zëra të shumtë. Influencuesit kanë një raport me ndjekësit e tyre. Janë ndoshta më të besuar nga ç’mund të jetë një politikan… Duhet të gjejnë një mënyrë se si ta transmetojnë mesazhin dhe të shpjegojnë se pse mund të jenë një president më i mirë në një mënyrë që do të ketë kuptim dhe të mos i largojë njerëzit nga kjo platformë, tek e cila kanë ardhur për t’u argëtuar. Nuk kanë ardhur aty për të dëgjuar reklama politike”, thotë zoti Goff.

Në një garë elektorale që duket se do të ketë rezultat shumë të ngushtë, influencuesit në rrjetin TikTok mund të bëhen menaxherët dixhitalë të këtij sezoni fushatash elektorale.

Read Entire Article