Prodhuesi gjerman i veturave Volkswagen po planifikon të mbyllë të paktën tri fabrika në Gjermani, të shkurtojë mijëra vende pune dhe të ulë pagat me 10%, ka zbuluar sindikata e kompanisë.
Daniella Cavallo, kreu i këshillit të punëtorëve të Volkswagen, u ka thënë punëtorëve në selinë qendrore të VW në Wolfsburg të hënën, se kompania po planifikon shkurtime edhe më të thella se sa pritej, raporton The Guardian.
Kjo do të ishte mbyllja e parë e fabrikave brenda shtëpisë, në historinë 87-vjeçare të Volkswagenit.
Cavallo i ka thënë stafit se menaxhmenti i VW-së ka një “synim të qartë” për të shkurtuar dhjetëra mijëra vende pune, raporton Reuters, dhe për të tkurrur fabrikat gjermane që mbeten të hapura.
Në fillim të shtatorit, Volkswageni i ka thënë stafit se po planifikonte të mbyllte të paktën një fabrikë më të madhe të prodhimit të automjeteve dhe një fabrikë të komponentëve në Gjermani.
Kompania ka luftuar për të menaxhuar kalimin nga veturat me lëndë djegëse fosile në veturat elektrike, ku po përballet me konkurrencë të ashpër nga prodhuesit kinezë.
Volkswageni ka rreth 120,000 punonjës në Gjermani, ku ka 10 fabrika, gjashtë prej tyre në shtetin verior të Saksonisë së Poshtme, duke përfshirë Wolfsburgun.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb