Von der Leyen: Integrimi nuk ka data, në bazë të meritës. Scholz: Gabim që Ballkani Perëndimor nuk është ende në BE

1 year ago 20
23:41 16/10/2023

Pas një dite të gjatë të samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri këtë bilanc. 

“Samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtetë të hapura dhe me një ndjenjë të vërtetë miqësie”, tha ai.

Sa herë që flitet për Ballkanin Perëndimor, kryefjalë është integrimi. Por ndryshe nga kreu i Këshillit, Charls Michel, presidentja e Komisionit, Von der Leyen thotë se 2030 nuk është një afat për anëtarësimin.   

“Sa i përket afatit të vitit 2030, nuk mund të ketë një datë të saktë, të prerë, pavarësisht reformimit apo jo. Është e bazuar në meritë”, tha ajo.

Von der Leyen thotë se për të ndihmuar vendet kandidate është propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë Eurosh, 2 grante dhe 4 kredi që do të shpërndahen sipas përmbushjes së reformave.

Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është i vonuar.  

“Unë jam i bindur që është gabim që pasi u takuam në Selanik 20 vite më parë Ballkani Perëndimor nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Duhet të ishte bërë tashmë anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jemi shumë të angazhuar për të bërë të mundur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. E gjitha është e bazuar në meritë”, tha Scholz.

Për kryeministrin Rama diçka po ndryshon edhe në Bruksel.

“Sot BE është gati të bëjë hapa drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është shumë ndryshe tani. Jam shumë optimist rreth kësaj qasjeje. Ky Komision po i ndryshon gjërat që ishin të paimagjinueshme për ne para 2 vitesh”, u shpreh Rama.

Një tjetër çështje që shqetëson të gjithë është Kosova. E pyetur nga Tv Klan nëse do të ketë masa ndaj Serbisë pas ngjarjes në Banjskë, Scholz dhe Von der Leyen thonë se në fillim po presin hetimet. 

“Duhet të ketë një hetim të plotë që më pas ne të kemi një qëndrim. Ne po presim të dhënat e hetimit dhe do të vendosim më pas”, tha Presidentja e KE.

“E dënojmë sulmin ndaj policisë në veri të Kosovës. Kjo është diçka që ne nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë. Gjermania është shumë e qartë në lidhje me këtë qëndrim. Por duhet të ketë një hetim të plotë që duhet të bëhet nga autoritetet e Kosovës dhe është e rëndësishme që autoritetet serbe të bashkëpunojnë në këtë drejtim”, tha Scholz.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i vendosur në kërkesën drejtuar europianëve për të ndëshkuar Serbinë.

“Kam dënuar edhe një herë dhe kam kërkuar që të gjithë të dënojnë sulmin terrorist, kriminal, aktin e agresorit të Serbisë në Kosovë. Duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë dhe siguri për Kosovën”, u shpreh Kurti.

Pavarësisht ndarjeve, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor firmosën në Tiranë një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.

Tv Klan








Read Entire Article