“Vuçiq po gënjen”, avokati shqiptar “ua shuan shpresat” Serbisë e Rusisë: Një konflikt i ri për Kosovën mund ta shpërbëjë këtë shtet!

2 months ago 9

Gjenerali amerikan Wesley Clark, ka deklaruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përkundër se përdor dy anët, perëndimin e Rusinë, ai në një moment dëshiron ta bëjë atë që presidenti rus Vladimir Putin po bën në Ukrainë.

Në një intervistë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për CNN, Clark ka thënë se “Serbia dhe Rusia po e imitojnë njëra-tjetrën”.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë.

Kemi parë shumë dhunë, vrasje në 30 vjetët e fundit dhe kemi menduar se NATO-ja e ka ndaluar, por nëse ka probleme në Ukrainë ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderë, si kryeministri Kurti, duhet të përballen me të”, ka thënë ndër tjerash Clark.

Sipas Kurtit, imitimi i Rusisë dhe Serbisë, është shqetësuese për Kosovën.

“Prandaj, jemi të shqetësuar sepse është në interesin e Kremlinit që të përhapë konflikte të tjera në Evropë përmes bashkëpunëtorëve të tij. Dhe Serbia në Ballkan është shtet hegjemonist dhe njëkohësisht bashkëpunëtore e Rusisë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Të gjitha këto, avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, i ka quajtur vetëm “mundësi”. Për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Kosova ka mbrojtjen e ndërkombëtarëve, derisa Serbia sipas tij, po shkon drejt falimentimit.

“Të gjitha janë vetëm mundësi, por të parealizueshme. Kosova ka mbrojtje ndërkombëtare se ka dalë e pavarur nga një konflikt ndërkombëtar, por ishte Rusia që abstenoi në Këshillin e sigurimit të OKB. Serbia është drejt falimentit dhe prandaj e djathta nacionaliste po e kërcënon Vuçiqin e po kërkon ta rrëzojë. Dhe prandaj kuptohet se Vuçiq po gënjen ekstremistët”, ka thënë Ngjela.

Sipas avokatit, “nuk shihet në horizont forcë ushtarake e Serbisë që mund të përballojë forcën amerikane që është prezente në Kosovë”.

Ai ka treguar se pse nuk duhet të ketë paralele mes situatës së Kosovës dhe asaj të Ukrainës.

“Nuk mund të ketë paralele midis Kosovës dhe Ukrainës, sepse Rusia e di shumë mirë që Kosova është çliruar nga Amerika dhe NATO, dhe ka trupa amerikane brenda saj”, ka pohuar Ngjela.

Image

Spartak Ngjela

Avokati ka theksuar se Serbia nuk ka forcë për konflikte të reja.

“Një konflikt i ri i Serbi-NATO mund ta shpërbëjë Serbinë si federatë me të gjitha republikat shtete brenda saj... Prandaj, asnjë forcë nuk ka Serbia”, ka thënë Spartak Ngjela për “Bota sot”.

Se qeveria e Serbisë po përgatitet për një përshkallëzim të ri në Ballkan, së fundmi e ka thënë edhe analistja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner./Botasot

Read Entire Article