Zbërthehet deklarata e Mandl për Borrell – ja si mund të ndikojë ardhja e Kaja Kallas në dialogun Kosovë – Serbi!

2 months ago 13
Reklamë

Emisarët ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi gjithmonë kanë luajtur një rol të rëndësishëm për bisedime.

Të njëjtit janë kritikuar vazhdimisht e lavdëruar në raste të rralla, mirëpo ndikimi i tyre padyshim që është shumë i rëndësishëm.

E së fundmi është përfolur për ndikimin që Borrell dhe Lajçak kanë pasur në dialog.

Largimi i Borrell është komentuar edhe nga euro-deputeti austriak, Lukas Mandl.

Ai tha që largimi i Borrellit do të jetë në favor të Kosovës.

“Kosova është po ashtu një kampion për vlerat demokratike që ka treguar në krahasim me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Kosova është qartazi e para dhe kjo është nënvlerësuar në raportin e Borrellit. Me një qasje direkte po them që shpresoj se nuk do të kemi nevojë që të diskutojmë më për politikat e Borrellit karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse mandati i tij do të mbarojë, pasi që tutje këtë detyrë do ta bartë Kaja Kallas. Ajo është një personalitet mjaft premtues kur vjen puna për lidhjet me Ballkanin Perëndimor, për shkak të vlerave të saj evropiane”, ka thënë Mandl.

Ai deklaroi se masat e BE-së ishin të padrejta që nga fillimi dhe për të ishte shokuese se ato u konsideruan.

Mirëpo largimi i Borrellit dhe ardhja e Kallas në procesin e dialogut a do të sjellë marrëveshjen finale?

Dreshaj: Ky vit vështirë se do sjellë risi

Image

Shemsedin Dreshaj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Shemsedin Dreshaj.

Ai thotë që roli i Borrell ka qenë i njëanshëm dhe në dialog Kosova nuk ka qenë e barabartë me Serbinë.

“Rolin që ka pasur Borrell e kemi parë. Ka pasur anim dhe palët nuk kanë ndier veten si të barabartë, në veçanti Kosova”, u shpreh ai.

Më tej, Dreshaj shprehet optimist që Kallas do të jetë neutrale mirëpo që viti 2024 nuk do të ketë risi.

“Ndërsa Kaja Kallas, do të prisja të jetë neutrale dhe imponuese për të dy palët. Ky vit vështirë se do sjellë risi. Viti 2025 mund të jetë vit i lëvizjeve”, u shpreh Dreshaj për “Bota sot”.

Makolli: Kosova favoret duhet t’i presë nga nuni i pavarësisë së saj, SHBA-ja

Image

Vesel Makolli

Ndërsa sekretari i AKR-së, Vesel Makolli për këtë temë bëri një krahasim mes Borrell dhe Kallas.

Ai thotë që shtetet nga vijnë dy përfaqësuesit, luajnë një rol të rëndësishëm, pasi Borrell ka ardhur nga shteti që nuk e njeh Kosovën dhe Kallas vjen nga një vend që njeh Kosovën, kjo e fundit mund të jetë një përparësi për Kosovën.

“Shikuar nga aspekti i asaj që Kryeministrja Estoneze Kaja Kallas, bazën deleguese e ka nga një vend i cili e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, kurse Borrell ka qenë përfaqësues i Spanjës, shtet i cili është njëri nga pesë shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht Republikën e Kosovës. Ardhja e Zonjës Kallas në vend të Z.Borrell si përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duhet të jetë në favor të Kosovës, gjegjësisht në favor të shtyrjes së shpejtë përpara të bisedimeve për ta zgjidhur me një marrëveshje gjithëpërfshirëse problemin shekullor shqiptaro-serb”, shpjegon z. Makolli.

Në bisedë e sipër, Makolli thekson që marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel dhe Ohër, e që BE insiston të realizohen, nuk mund të jetësohen pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë dhe garancinë diplomatike e ushtarake të SHBA-së.

“Por, nëse gjërat shikohen nga prizmi i gjerë duke e përfshirë  luftën në Ukrainë dhe tentimin e Rusisë dhe Kinës për t'i shtrirë interesat e tyre në këtë pjesë të Evropës, Kosova favoret duhet t'i presë nga nuni i pavarësisë së saj, SHBA-ja dhe aleatët, andaj është shumë me rëndësi për neve se kush do t'i fitojë zgjedhjet Presidenciale në SHBA.

Marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel dhe Ohër, e që BE insiston të realizohen, nuk mund të jetësohen pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë dhe garancinë diplomatike e ushtarake të SHBA-së. Bazuar në këtë dhe në kontekst të konstelacionit gjeo-politik, politika dhe diplomacia jonë, duhet të mbështeten dhe të koordinohen për çdo veprim me SHBA-në dhe aleatët”, përfundon sekretari Makolli për “Bota sot”.

Read Entire Article