“Zbulohet” pse u ‘ftohën’ raportet Osmani- Gërvalla, vjen parashikimi: Në zgjedhjet e reja, Lista “Guxo” do të jetë pa Gërvallën

1 month ago 12
Reklamë

Janë te dyja në Listën “Guxo”, por Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë filluar të kenë ftohje të raporteve në mes veti.

Presidentja Vjosa Osmani e cila është edhe vetë themeluese e Listës “Guxo”, ndërsa zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kryetare e degës në Pejë, mund të mos jenë më në parti të njëjtë, thonë analistët politikë.

Ftohja apo krisja e marrëdhënieve të të dyjave, ka filluar që nga maji i këtij viti kur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dërguar letër në Asamblenë Parlamentare të KIE-së, ku zotohej për hartimin dhe dërgimin e një draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese në këmbim të anëtarësimit në këtë organizatë dhe për këtë presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte deklaruar publikisht se nuk ishte në dijeni.

Gërvalla kishte reaguar përsëri duke thënë se letra ishte dërguar brenda kompentencave të saja kushtetuese, ndërsa “kunjat” janë duke vazhduar ende.

Ministrja Gërvalla në koncertin e diasporës realizuar ditë më parë, kishte përmendur emrin e presidentes madje ceku edhe këngën e këngëtares Dafina Zeqiri “llafe llafe”, duke thënë se “vazhdojmë me këngën e presidentes llafe llafe”.

Për këtë, presidentja u pyet nga gazetarët, por ajo nuk dha detaje për raportet mes veti, por “i kushtoi” një këngë tjetër.

“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, ka thënë Osmani në konferencën për media.

Mehazi: Pakënaqësitë kundër njëra tjetrës japin sinjale ndarjesh, se Vjosa Osmani gjatë zgjedhjeve parlamentare do konkurrojë pa Donika Gërvallën

Image

Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se pa kënaqësitë mes Osmanit dhe Gërvallës janë sinjal se Vjosa Osmani gjatë zgjedhjeve parlamentare do të konkurrojë pa Donika Gërvallën.

“Është e njohur që më parë se raportet në mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, dhe shefes së diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvallës, janë të ngrira nga mos pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pikërisht, replika e Osmanit me Gërvallën është eliminimi i Kosovës nga Këshilli i Evropës e cila sipas, Vjosa Osmanit, fajtore e këtij mos suksesi është Gërvalla dhe qeveria e Kosovës me Albin Kurtin. Pakënaqësitë kundër njëra tjetrës japin sinjale ndarjesh, se Vjosa Osmani gjatë zgjedhjeve parlamentare do konkurrojë pa Donika Gërvallën e cila anon më shumë LVV-në e Kurtit sesa partinë amë "Guxo" të Osmanit”, shprehet Mehazi.

Sipas tij, largimi i mundshëm i Gërvallës do ta dëmtonte partinë “Guxo”, por nuk do t’ia humbiste autoritetin Vjosa Osmanit.

“Largimi i Donika Gërvallës si bijë e patriotit dhe dëshmorit, Jusuf Gërvallës, do dëmtonte partinë "Guxo" të Vjosa Osmanit, megjithatë, autoriteti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, para qytetarëve dhe votuesve ekziston, pasi, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, janë personalitete politike më të dëshmuar jo vetëm në Kosovë, por edhe ndaj ndërkombëtarëve. Binomi politikë, Albin Kurti-Vjosa Osmani janë shtylla të fuqishme të pavarësisë së Kosovës”, shton analisti.

Qarri: Ftohja e raporteve të ministres Donika Gërvalla me presidenten e shtetit, ka të bëjë me interesat e mbijetesës politik

Image

Gani Qarri

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri, thotë se raportet e ftohura Osmani- Gërvalla mund të shkojnë drejt shkatërrimit të plotë dhe ndarjes së tërësishme.

Sipas tij, prishja ka të bëjë për shkak të postit të presidentit/es.

“Në fakt prishja e raporteve ndërmjet Qeverisë gjegjësisht ministres Gëvalla dhe presidentes Vjosa Osnamini, u shkaktua muaj më parë, apo thënë më mirë, menjëherë pas letrës së pamatur që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla i dërgojë Këshillit të Evropës, pa njoftuar as konsultuar fare presidenten Osmani, veprim që nga presidentja, me të drejtë u vlerësua si sjellje, që nuk ishte, në frymën e bashkëpunimit. Kurse ftohja e marrëdhënieve mes kryeministrit Kurti dhe presidente së vendit, megjithëse ai kishte mohuar se ka prishje të raporteve, duke pranuar se kishte "vetëm" mospajtime të vogla, për çështje të ndryshme, ato u vërtetuan kur Kurti nuk mori pjesë në takimin e së mërkurës të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar me kryetarët e partive politike datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por, prishja e raporteve ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, duket se ka bërë, që raportet e ftohura ndërmjet Vjosa Osmanit dhe ministres Gërvalla, jo vetëm të luhaten seriozisht, por edhe të shkojnë drejt shkatërrimit të plotë dhe ndarjes së tërësishme ndërmjet tyre, për shkak të interesave politike. Kështu që, përderisa prishja e raporteve të Kurtit me presidenten Osmani, mendohet se ka të bëjë me mandatin e ardhshëm të postit të presidentit/es të Kosovës, ftohja e raporteve të ministres Donika Gërvalla me presidenten e shtetit, ka të bëjë me interesat e mbijetesës politike të vet Donikës dhe partisë Guxo, e cila dihet qartë, se e vetme, nuk mund t’i mbijetojë, garës së zgjedhjeve të ardhshme politike, të cilat, më së largu duhet të mbahen, deri më 16 shkurt të vitit 2025, gjë që nënkupton se deri në ditën e mundshme të votimeve, kanë ngelur vetëm edhe rreth 6 muaj”, deklaron Qarri

Ai potencoi se kryeministri Kurti ka shprehur interesim që Listën “Guxo” ta inkorporojë në kuadër të VV-së

“Prandaj, kryeministri Kurti ka shprehur interesim, që Listën Guxo, ta "inkorporojë", në kuadër të VV-së, kurse për shkak të kalkulimeve politike dhe ideimit të koalicioneve të mundshme ndërpartiake për formimin Qeverisë së ardhshme dhe plotësimin e kërkesave të partisë tjetër, me të cilën, do të hyjë në koalicion, ka vendosur ti ndaj rrugët me presidenten Osmanin, duke ditur se partia koalicionuese mund ta vendos si kusht, marrjen e postit të presidentit të shtetit, për bashkëpjesëmarrje në formimin e qeverisë së ardhshme të kryesuar nga Kurti dhe LVV. Pra , në pika të shkurta ky është edhe shkaku i ftohjes së raporteve në mes presidentes Osmani dhe ministres Gërvalla, gjë që u pa publikisht edhe në replikat e bëra, së fundi nga të dyja palët. Ndërsa duke pasur parasysh faktin se Lista Guxo, kryesimin e të cilës, pas pranimit të postit të presidentes, Dr. Vjosa Osmani edhe ashtu e ka kaluar në duart e ministres Donika Gërvalla, e cila për shkak të potencialeve jo premtuese, si mini subjekt politik, as që mund të hyj e vetme në zgjedhjet e reja, dhe për të mbijetuar politikisht, medoemos është e detyruar të futet apo edhe të shkrihet në LVV, sa u takon zgjedhjeve të ardhshme, nuk shoh ndonjë ndikim të madh të këtyre raporteve në to, ngase votuesit do të votojnë për tërësinë dhe jo veç e veç, për grupimet minore politike, të inkorporuara" vullnetarisht" në partinë më të madhe aktuale në vend, LVV”, përfundon analisti.

Read Entire Article