Zelensky: Ne mbrohemi me dronë, duhet të përshpejtojmë logjistikën

10 months ago 8

Ukraina po mbështetet gjithnjë e më shumë në lloje të ndryshme të dronëve në mbrojtje kundër pushtimit rus, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një fjalimi.

“Është një prioritet i dukshëm i Ukrainës dhe një mënyrë konkrete për të mbrojtur jetët e luftëtarëve tanë”, tha Zelensky për zhvillimin e taktikave luftarake me dron kundër Rusisë, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu theksoi rezultatet e pjesëmarrjes së tij në konsultimet me qeverinë dhe ushtrinë në Kiev, për rezervat e dronëve që disponon dhe çfarë nevojitet prej tyre në vijën e parë të mbrojtjes.

“Do të shpejtojmë logjistikën”, tha presidenti i Ukrainës, ku po punohet intensivisht edhe për përmirësimin e efikasitetit të dronëve.

Rëndësia e dronëve të të gjitha madhësive është rritur shumë në gati 22 muajt e luftës. Ushtarët ukrainas dhe rusë përdorin dronë të vegjël me kamera për të vëzhguar çdo lëvizje të armikut në fushëbetejë. Një mjet i tillë mund të hedhë ngarkesa të vogla shpërthyese mbi tanke ose istikame.

Ukrainasit i përdorin ato për të kompensuar pjesërisht rezervat e tyre të vogla të municioneve artilerie, por Rusia ka teknologji shumë efektive për bllokimin e elektronikës së dronëve të armikut.

Në të njëjtën kohë, Rusia vendos pothuajse çdo natë dronë të prodhuar nga Irani kundër objektivave civile në qytetet e Ukrainës, të cilët në fund të fluturimit rrëzohen në objektivin e tyre me ngarkesa shpërthyese.

Ukraina vazhdon të zhvillojë dronët e saj, të cilët kanë një gamë gjithnjë në rritje. Megjithatë, deri më tani, dëmi që ata kanë shkaktuar nga sulmet ndaj objektivave në Rusi ka qenë i kufizuar. /Telegrafi/

Read Entire Article