Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina nuk ka filluar që ta humbasë luftën kundër Rusisë. Në një konferencë shtypi në Kiev, i pyetur nga prestigjiozia BBC News se nëse ekziston rreziku që Ukraina ka nisur të humbasë, ai u përgjigj prerazi që “jo”.
Mes të tjerash, Zelensky u shpreh se ushtria e Ukrainës ka kërkuar deri në 500,000 ushtarë të tjerë, ndërsa lufta po shkon drejt kufirit të dy viteve. Por ai shton se nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar për rritjen e numrit të trupave.
Gjithashtu Zelensky tha se ka besim se SHBA-ja nuk do të tradhtojë Ukrainën, pasi republikanët në Kongres bllokuan një paketë ndihme ushtarake prej 60 miliardë Dollarësh. Kjo vjen pasi një gjeneral i lartë ukrainas paralajmëroi se operacionet po zvogëloheshin për shkak të reduktimit të një ndihme të tillë të huaj.
Linjat e betejës kanë ndryshuar pak që nga vera dhe trupat ukrainase përballen me një periudhë të vështirë me fillimin e dimrit./tvklan.al
Të ngjashme