Ushtria e Ukrainës kërkon të mobilizojë deri në 500,000 trupa shtesë, ka zbuluar presidenti Volodymyr Zelensky, ndërsa lufta me Rusinë po i afrohet dy viteve.
Në një konferencë shtypi në Kiev, ai tha se komandantët e tij po kërkonin “450,000-500,000 individë”, duke pranuar se kjo ishte një çështje “e ndjeshme” dhe e kushtueshme, sipas BBC.
Ai tha se i duheshin më shumë detaje përpara se të mbështeste lëvizjen, duke lënë të kuptohet se 500,000 ushtarë ishin tashmë në front.
Komentet e tij vijnë pas pengesave të ndihmës nga SHBA dhe BE.
Republikanët në Kongresin e SHBA fillimisht bllokuan një paketë ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën në fillim të këtij muaji.
Këtë javë, përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit thanë se SHBA po planifikonte një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën, por se kishte kufizime për të dërguar më shumë ndihmë pas kësaj, nëse Kongresi nuk vepronte.
Pengesa e SHBA u pasua nga bllokimi nga Hungaria të marrëveshjes së ndihmës financiare të BE-së prej 50 miliardë eurosh javën e kaluar.
Megjithatë udhëheqësit e BE-së thanë se Ukraina nuk do të mbetet pa mbështetje.
Ukraina po përballet me një mungesë municionesh ndërsa vazhdon të luftojë forcat pushtuese ruse, që prej 24 shkurtit të vitit 2022.
Top Channel