Zgjedhjet në PE, rëndësia e madhe që kanë për Kosovën – vjen thirrja për shqiptarët që jetojnë në shtetet e BE-së

4 months ago 9

Zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian po afrohen, ato do të mbahen në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga 6 deri më 9 qershor.

Diku rreth 370 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në gjithë bllokun, por jo të gjithë do të dalin në zgjedhje.

Ekonomia, vendet e punës, varfëria, shëndeti publik, ndryshimet mjedisore dhe e ardhmja e Evropës janë gjithashtu çështje që vlerësohen të rëndësishme për votuesit e BE-së.

Këto zgjedhje po cilësohen të një rëndësie të madhe, jo vetëm për vendet anëtarë të BE-së, por edhe shtetet tjera, përfshirë Kosovën.

Procesi i zgjerimit të BE-së është i një rëndësie të madhe për shtetet e Ballkanit, veçanërisht për shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë.

Duket të jetë një ‘garë e nxehtë’ mes subjekteve politike, të cilat kanë mbështetje elektorale të madhe.

Vlen të theksohet, se zgjedhjet e BE-së mbahen çdo pesë vjet në bllokun 27-anëtarësh. Ky vit shënon zgjedhjet e 10-ta parlamentare që nga zgjedhjet e para më 1979 dhe të parat pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

Mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve të PE-së folën njohës të diploamcisë, derisa theksuan rëndësinë që kanë për Kosovën dhe shqiptarët.

Berisha: Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Europian natyrisht se do të këne ndikim edhe në Kosovë

Image

Anton Berisha

Ndërsa, ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se pret ndikim të madh të rezultateve të zgjedhjeve të PE-së në Kosovë.

Mirëpo, ai potencoi se aspiratat integruese varen nga Kosova.

“Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian natyrisht se do të kenë ndikim edhe në Kosovë dhe për Kosovën. Sidoqoftë, aspiratat integruese varen nga vet ne, se sa kemi vullnet politik dhe sa jemi të përkushtuar për arritjen e standardeve që janë domosdoshmëri për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Rrjedha aktuale për fat të keq është kundër integruese dhe një ecje prapa”, theksoi ai.

Ish-zëvendësministri potencoi se shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e votës që kanë dhe të zgjedhin partitë politike që ndihmojnë Kosovën.

“Sigurisht që çdo qytetar i BE-së duhet të shfrytëzoj të drejtën e votës duke përfshirë edhe qytetarët me origjinë nga Kosova, ngase bëjnë të mundur zgjedhjen e personave dhe partive politike përmes se cilave mund t’i realizojnë të drejtat e tyre por edhe indirekt për ta ndihmuar vendin e tyre të origjinës-Kosovën”, përfundoi Anton Berisha për “Bota sot”.

Shabani: Këto zgjedhje do të zyrtarizojnë forcimin e partive të djathta në Evropë

Image

Amir Shabani

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Si fillim, ai potencoi se pret që këto zgjedhje të forcojnë pozicionin e partive të djathta në Evropë.

Ai tha së këto zgjedhje do ndikojnë në tre fusha për rajonin e Ballkanit, por jo edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

“Zgjedhjet e parapara në BE do të sigurojnë 720 euro deputetë të rinj të Parlamentit Evropian nga gjithsej 400 milionë votues nga i gjithë kontinenti. Këto zgjedhje do të zyrtarizojnë forcimin e partive të djathta në Evropë, por se kjo dukuri nuk do të ndikojë shumë në politikën e jashtme të ardhshme të BE-së, veçanërisht sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe dialogut Beograd-Prishtinë.

Do të jenë tre fusha kryesore të politikave në të cilat ka rëndësi ajo që ndodhë në nivel të PE-së ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi:

- politika e migracionit;

- zgjerimi i BE-së; dhe

- zbutja e krizës klimatike.

Për të kuptuar këto gjëra, së pari është e rëndësishme të kontekstualizohen aktorët kryesorë në PE”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, Shabani komentoi edhe ndikimin e PE-së në zgjerimin e BE-së dhe mekanizmat financiar.

Marrëdhëniet e PE-së me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë ngjyrosur ndjeshëm nga thjerrëzat e zgjerimit të mundshëm të BE-së në rajon. Përqendrimi i PE-së në procesin e buxhetimit të BE-së do të thotë se ai ka mbikëqyrje të drejtpërdrejtë mbi alokimet financiare për Instrumentin për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), mekanizmi kryesor përmes të cilit vendet kandidate dhe kandidate potenciale në BE sigurojnë ndihmë financiare për kryerjen e reformave të kërkuara.

PE gjithashtu ushtron mbikëqyrje mbi mekanizmat financiarë të lidhur me procesin e anëtarësimit, siç është Plani i Rritjes së BE-së, i cili caktoi 6 miliardë euro kredi dhe grante për të ndihmuar përpjekjet reformuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Më tej, analizoi edhe politikat e jashtme, të cilat ndryshojnë në varësi të partive të djathta dhe ekstreme.

Ndikimi i një PE të krahut të djathtë në zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është menjëherë i qartë. Kjo është pjesërisht për shkak se partitë kombëtare, qëndrimet e të cilave formohen nga konsideratat politike kombëtare, mund të kenë pikëpamje dukshëm të ndryshme për zgjerimin e BE-së. Për shembull, mjedisi i brendshëm politik në Holandë është historikisht skeptik ndaj zgjerimit të BE-së, duke i lënë politikanët holandezë me më pak kapital politik për t'u përdorur në zgjerim sesa politikanët në vende të tjera, si Polonia ose Rumania.

Politika e jashtme është një fushë kyçe në të cilën e djathta dhe e djathta ekstreme ndryshojnë; ndërsa partitë e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) në përgjithësi janë të orientuara drejt institucioneve euroatlantike dhe arkitekturës së sigurisë dhe mbështesin Ukrainën, të paktën në mënyrë retorike, partitë e Identitetit dhe Demokracisë (ID) kanë më shumë gjasa të mbështesin në heshtje ose haptazi presidentin rus Vladimir Putin”, shpjegoi ai.

Në fund, Shabani komentoi edhe kandidaturën von der Leyen dhe thirrjet e saj mbi të ardhmen e Kosovës në BE.

“Kjo do të thotë se për sa i përket ndikimit të drejtpërdrejtë në procesin e anëtarësimit në BE, zgjedhjet e qershorit 2024 nuk ka gjasa t'i ndryshojnë gjërat veçanërisht fuqishëm; në përgjithësi, pjesa më e madhe e euro deputeteve e shohin pozitivisht zgjerimin, me të gjitha paralajmërimet e zakonshme për kushtet që duhen plotësuar.

Është një rast i ngjashëm me mandatin e Von der Leyen si presidente e KE-së, kur ajo vazhdimisht ka bërë thirrje për një të ardhme ku Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor janë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjatë udhëtimeve të saj të ndryshme në Kosovë, ajo ka vënë në dukje se Kosova vazhdon të demonstrojë një përkushtim të madh në rrugën evropiane, ndërsa këmbëngul që Prishtina të zyrtarizojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe siç është përcaktuar në Marrëveshjen e Ohrit”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.

Read Entire Article