Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado, i ftuar në studion e emisionit “Sintezë” në News24 ka folur në lidhje me skemën e pensioneve në vend.
Ai u shpreh se në shumë vende skemat e pensioneve hasin probleme për shkak të ndryshimeve demografike.
Megjithatë ai u shpreh se fondi i Sigurimeve Shoqërore në vend është i qëndrueshëm dhe garanton gjithë të drejtat e fituara dhe ato të premtuara.
Sipas tij buxheti i këtij institucioni është sa rreth 27% e buxhetit të shtetit dhe ka një impakt të madh në jetën e grupmoshës së tretë.
“Skemat e pensioneve hasin vështirësi kudo për shkak të faktorëve që ndikojnë, si ndryshimet demografike, lindshmëria, ndryshimet e kulturës, tregu i punës për brezin e ri, etj. Fondi i Sigurimeve Shoqërore në vend është i qëndrueshëm, garanton gjithë të drejtat e fituara dhe ato të premtuara, pra ato të individëve që sot janë kontribuues. Pensionet e skemave të pensioneve janë ndër elementet kryesorë të jetesës së moshës së tretë dhe është faktori kryesor i zbutjes së varfërisë te mosha e tretë. Ka një impakt të madh për moshën e tretë në jetën e tyre. Buxheti ynë është sa 26-27% e buxhetit të shtetit”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb