Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë direkt drejt Amsterdamit, falë fillimit të operimit të linjës ajore të mirënjohur Transavia. Me ketë rast, sot në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) u zhvillua një ceremoni mirëseardhje.
Linja direkte nga dhe drejt Amsterdamit shënon një tjetër moment të rëndësishëm per TIA-n, që vazhdon të zgjerojë hartën e destinacioneve direkte dhe të rrisë numrin e kompanive ajrore prestigjioze ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri. Marcel de Nooijer, Drejtori i Përgjithshëm i Transavia, i cili mbërriti në Tiranë për këtë ceremoni të posaçme, u shpreh “Ne shohim një të ardhme të shkëlqyer dhe një bashkëpunim shumë të frytshëm me Aeroportin e Tiranës. Ne kemi nisur me 3 fluturime në javë drejt Tiranës, të cilat shfaqin një potencial të madh. Më duhet të them, me këtë pritje të ngrohtë këtu në Tiranë, ne ndihemi kaq shumë si në shtëpi dhe presim me padurim bashkëpunimet e mëtejshme.”.
PierVittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, falenderoi kompaninë Transavia për fillimin e këtij bashkëpunimi. “Kjo është një arritje që i lidh pasagjerët tanë jo vetëm me Amsterdamin por edhe me destinacione të tjera, pasi ky aeroport është një nga qendrat më të rëndësishme në Evropë. Shpresojmë që kjo linjë e re të hapë mundësi për shumë turistë nga Hollanda dhe Evropa për të eksploruar Shqipërinë dhe bukuritë e saj të shumta, nga plazhet mbresëlënëse e deri te udhëtimet mahnitëse malore, nga fshatrat piktoreske tek një kryeqytet plot jetë dhe ngjyra.”- u shpreh Z. Farabbi.
Kjo arritje nënvizon besimin e kompanisë ajrore Transavia në potencialin e Shqiperisë si një qendër zhvillimesh të rëndësishme në fushën e turizmit dhe mundësive të biznesit. Një faktor i rëndësishëm i këtij besimi lidhet gjithashtu me rritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve te Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) falë vizionit dhe investimeve të Kastrati Group.
Ambasadori i Holandës në Shqiperi, Shkëlqesia e tij, z. Reinout Vos shprehu kënaqësinë për fillimin e fluturimeve direkte drejt Amsterdamit. “Ky do të jetë një hap i rëndësishëm që Shqipëria të lidhet më mirë me pjesë të tjera të Evropës dhe integrimin në këtë komunitet. Por do të jetë gjithashtu një mundësi e madhe për holandezët dhe shumë pasagjerë të tjerë që të fluturojnë drejt Tiranës. Nëse mund të bëj një kompliment për aeroportin e Tiranës, kam parë një zhvillim befasues këto vitet e fundit si në drejtim të linjave ajrore por edhe ne shërbimin ndaj pasagjerëve”.
Z. Maksim Et’hemaj, Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar “Shqipëria sot ka lidhje pothuajse me të gjitha qytetet evropiane. Jemi shumë të kënaqur që shohim zbatimin e një strategjie që e ka sjellë Shqipërinë në këtë nivel sot. Ne sigurojmë që përmes Transavia të arrijmë kërkesat e Bashkimit Evropian, sigurojmë që aeroporti të zhvillohet duke përmbushur standardet e nevojshme, dhe pasagjerët të marrin shërbimin e duhur.”
*Transavia (HV), është një degë e Grupit Air France-KLM. Pasagjerët kanë gjithashtu komoditetin e rezervimit të biletave brenda rrjetit të grupit për destinacione të tjera nëpërmjet: Air France (AF) në CDG (aeroporti i Parisit Charles de Gaulle) dhe Transavia France (TO) në 2 (dy) destinacione shtesë: ORY (Aeroporti Orly) dhe LYS (Aeroporti i Lyonit Saint-Exupery)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb