Aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi i ka kushtuar një shkrim prekës Pirro Manit. Ai përmes një mesazhi kërkon ndjesë që po i prish qetësinë Pirro Manit.
SHKRIMI
(Kujtesë e vonueme)
Pirro!
E di se po ta prishi qetësinë e amshimit. Por tue ditë se ti s’ke përtua me mbledhë eshtna e eshtna ushtarësh italian, në dy shfaqjet tue brilante, s’po hezitoj me ti lëkundë edhe ty kockat, ndaj po t’shkruaj!
Sot, rastësisht kalova kah hoteli i viteve ’70-ta, ku ti bane gjumë me nji skenograf që s’të ndahej, me sa ndahej hija jote nga shtati! Ti e dije pse! Pak e dita edhe unë por s’të pyesja!
Atëherë quhej Bozhur dhe kishte kalorës me përkrenare e shtiza t’gjata, n’ballinën kah Korzoja! Do koka kuajsh rrinin n’ballinën e hotelit n’za!
Nji mollë e bleva n’dyqanin e pemëve. Shitësi ofshani kur ma pagoi! – ah skamje e madhe t’paska fshi përpara more artist, m’tha!
Qesha!
-S’e lash për pare mik jo! Edhe unë shes libra rrugëve, si ti molla e do centa i fitoj edhe unë, por po du me ecë përballë Hotel Bozhurit, tue hangër mollë e me kujtua nji regjizor t’madh t’viteve ’70-ta!
Nuk me kuptoi. Ishte gjeneratë e re veç nuk me shiqoi me synin e mirë!
Zbrita ish rrugicës me kalldërm dhe u ndala para hotelit ku flije ti!
Kokën e çova te kati i dytë. Ti rrishe n’ballkon me Gim Zajmin tue pi duhan!
– O artist thërrisje atëherë me zanin bas! A po t’shijon molla?
Boll besa e burrave t’përgjigjesha!
– Kur t’plakem e ti shkruej memoret e mia, diku aty do t’jenë këta rreshta; – çdo mëngjes kalonte kah Hotel Bozhuri nji artist i ri, i ardhun nga Rugova, tue kafshua mollë e tue fishkëllua!
Tu rritë nera Gjeneral bërtisja nga rruga me kalldërm dhe vazhdoja për n’teatër!
Mos mu hatro që shkrova, se ishe regjizori i “Gjeneralit t’ushtrisë së vdekur” kurse unë isha asistenti yt!
Por ti ike n’amshim pa m’tregua për memorjet!
Unë sot memorje koti shkrova!/ ObserverKult
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb